“Ballkani i hapur”, marrëveshje të reja në fund të dhjetorit, lehtësi për 500 kompani shqiptare

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “Ballkani i hapur” është një mekanizëm për të jetësuar Procesin e Berlinit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit.

Në interpelancën e kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, Kryeministri Rama tha se, “besoj se për temat e interesit të përbashkët publik apo kombëtar nuk është asnjëherë mjaft të diskutojmë, dhe mbi të gjitha kemi detyrën bashkërisht të gjitha forcat politike të bëjmë më shumë për të dëgjuar njëri-tjetrin”.

“Ballkani i Hapur nuk është një zëvendësim, as tjetërsim, as transformim në diçka tjetër i procesit të Berlinit apo i vetë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Ballkani i Hapur është një mekanizëm për të jetësuar procesin e Berlinit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit, ku adresohet në mënyrë praktike domosdoshmëria që piketat e mbetura në letër të Procesit të Berlinit të transformohen në kilometra të bëra bashkërisht drejt realizimit të vizionit të këtij procesi si dhe adresohen po ashtu nevojat e drejtpërdrejta të qytetarëve e të prodhuesve, të përpunuesve apo të tregtuesve të këtij vendi”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se konkretisht Shqipëria ka 371 eksportues në Maqedoninë e Veriut dhe 165 në Serbi. “Duke qenë se thelbi i këtij debati është Serbia po ju jap edhe një të dhënë tjetër që mbase ju ndihmon në shtjellimin e idesë dhe ilustron nevojën e këtij mekanizmi. Nga 165 eksportues shqiptarë në Serbi, 57 prej tyre janë eksportues frutash e perimesh, të cilët aktualisht dhe prej vitesh janë në aktivitet, pavarësisht se çfarë diskutojmë ne dhe se cila është panorama politike që shpesh ngrihen në mënyrë të nxituar dhe jo rrallëherë të gabuar hipotezat për të kundërshtuar zgjerimin e bashkëpunimit rajonal”, vuri në dukje Rama.

Rama tha se “ideja dhe vizioni i Procesit të Berlinit janë të qartë për të gjithë, ndërkohë që përsa i takon mekanizmit “Ballkan i hapur” dua t’ju informoj se ne, Shqipëria, jemi të parët që kemi nisur me marrëveshjet kuadër për të jetësuar procesin e Berlinit dhe faktikisht ne kemi në kudër të atij procesi dy marrëveshje të nënshkruara më parë me Kosovën dhe Malin e Zi për “one stop shop” apo një ndalimet, në kufijtë tanë, por edhe me Maqedoninë e Veriut, ndërkohë jemi gati siç parashikohet në marrëveshjen dypalëshe të nënshkruara në kuadër të Samitit rajonal në Tiranë”.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “sipas të dhënave të Komitetit të Transportit dhe të RCC-së kamionët e eksport-importit shpenzojnë 28 milionë orë në kufijtë e këtij rajoni për shkak të atyre pengesave administrative burokratike dhe një mungese të një kuadri të përbashkët rregullator mes këtyre vendeve. Vetëm në orët e pritjes i kushton vendeve 1 % të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Ky kuadër i përbashkët rregullator nuk është as më shumë e as më pak se sa kuadri i përbashkët rregullator i Bashkimit Evropian, kuadër i ndërtuar mbi katër liritë e BE-së, liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve”.

Duke dhënë shembullin e Malit të Zi, Rama tha se “për të kaluar tranzit në Malin e Zi sipas të dhënave të kompanive, vetëm kostoja për kontrollin veterinar është 80 euro, plus 20 euro për agjencinë doganore, pra 100 euro për zhdoganim, nuk flas për kohën e pritjes”.

“Mekanizmi i “Ballkanit të hapur” dhe gjithë ato marrëveshje që po bëjmë dhe që kemi futur në rrugën e zbatimit, disa prej të cilave do të firmosen pak javë më vonë, përpara festave këtu në Tiranë, do të bëjnë që lehtësia që do t’u krijohet të gjitha kompanive që përmenda dhe shkojnë rreth 500 kompani shqiptare të jetë eksponenciale në raport me vështirësitë që kanë sot”, tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.