Shqipëri-Izrael, së shpejti marrëveshje bashkëpunimi në fushën e Mbrojtjes

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Shqipëria dhe Izraeli do të nënshkruajnë një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e Mbrojtjes.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili në vijim të vizitës në Izrael, u prit në një takim zyrtar nga ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benjamin Gantz.

Peleshi dhe Gantz diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e sigurisë.

Ministri Peleshi bëri një përshkrim të përgjithshëm të synimeve që ka vendi ynë për të ndërtuar dhe çuar në një nivel konkurrues kapacitetet në fushën e inovacionit teknologjik, duke ndjekur edhe modelin e Izraelit, si një nga pesë vendet liderë të botës në këtë aspekt.

Gjatë takimit, Peleshi shprehu vlerësimin e tij për Izraelin si një partner shumë i rëndësishëm i NATO-s në rajonin MENA (Middle East and Northern Africa), si edhe për politikën konstruktive të ndjekur në Forumin e Dialogut të Mesdheut.

Ministri Peleshi falënderoi homologun Gantz për vendimin historik të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit, që u pasua edhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e ambasadave përkatëse.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.