Ndahet nga jeta ish-i përndjekuri Qani Sadiku, mesazhe

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-të përndjekurit politik, Qani Sadiku.

Në mesazhin e tij, presidenti Meta u shpreh se mësoi me trishtim të madh largimin nga jeta të Qani Sadikut.

“Ka qenë privilegj ta njoh nga afër këtë simbol të rezistencës heroike kundër diktaturës komuniste, dëshmi e shpirtit të pamposhtur dhe sakrificës në mbrojtje të idealit të shqiptarëve për liri, demokraci, shtetit të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor. Me forcën e karakterit dhe burrërinë e pashoq, ai përballoi terrorin më të egër duke na frymëzuar të gjithëve me shembullin e tij të rezistencës ndaj autoritarizmit dhe çdo forme dhune, që cënon liritë dhe të drejtat e njeriut”, thekson Meta.

Presidenti i shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes Sadiku dhe komunitetit të ish-të përndjekurve politikë.

Qani Sadiku, një nga qëndrestarët e diktaturës komuniste, ndërroi jetë ditën e djeshme. Ai është vlerësuar më herët nga presidenti Meta, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për qëndresën heroike që i ka bërë diktaturës.

Basha: Qëndrestar i diktaturës komuniste 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli dje mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të simbolit të qëndresës antikomuniste Qani Sadiku.

“Me trishtim mora lajmin e ndarjes së parakohshme të Qani Sadikut, legjendë e qëndresës antikomuniste brenda dhe jashtë burgut politik të diktaturës. Ngushëllimet më të ndjera familjarëve, miqve dhe bashkëvuajtësve për këtë humbje. U prehtë në paqe e i paharruar kujtimi i tij!”, u shpreh Basha.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.