Dënimi për blerjen e votave në Dibër, Çupi: U konfirmua masakra zgjedhore

TIRANË 1 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi e ka konsideruar të paplotë drejtësinë pas dënimit me 1 vit burg të Denis Xholit dhe Albjon Cekut të akuzuar për blerje të votave në Dibër.

Çupi shprehet se kjo që ka ndodhur në Dibër është vetëm maja e ajsbergut.

“Se e ka vjedhur Rilindja pushtetin, jo vetëm e kam denoncuar gjatë fushatës, por edhe pas shpalljes së rezultatit. Ditën për diell, rilindasit të angazhuar me çdo formë për të mbajtur pushtetin, blenë vota, blenë vullnetin e lirë, ushtruan presion me heqjen e ndihmës ekonomike apo edhe duke ofruar vende pune të përkohshme. Kjo që ka ndodhur në Dibër është vetëm maja e ajsbergut. Gjithçka ka qenë e orkestruar nga lart dhe me zbatim deri në çdo qelizë ku mund të merrej vota në çdo formë. Kjo është masakra zgjedhore për të cilën PD kërkon hetim dhe drejtësi të plotë. Për këtë arsye drejtësia duhet të veprojë që nga organizatorët e kësaj masakre dhe për çdo person të përfshirë në këtë aferë të vjedhjes së vullnetit të shqiptarëve. Drejtësia është e paplotë me dënimin e 2 personave por duhet të shkojë tek i gjithë zinxhiri i vjedhjes së votave të shqiptarëve”, shprehet Çupi.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.