80-vjetori i lindjes së aktorit Luftar Paja

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Aktori Luftar Paja ka festuar sot 80-vjetorin e lindjes.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka uruar Pajën, teksa e ka cilësuar si krenaria e gjithë shqiptarisë.

“Urimet më të mira të madhit Luftar Paja në 80-vjetorin e tij të lindjes. Je krenaria e Gorishovës, qarkut të Fierit dhe gjithë shqiptarisë”, shprehet Balla.

Luftar Paja lindi në Gorishovë të Mallakastrës më 1 dhjetor 1941.

Qysh në moshë të re spikat talenti i tij si aktor. Luftëtari është nderuar me medalje të çmimit të parë në vitin 1969 për kontributin e dhënë në grupet amatore, është nderuar me medaljen “Naim Frashëri e Klasit të Parë”.

Në vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e Teatrit “Bylis” Fier. Në vitin 1979 merr titullin “Artist i Merituar”. Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistikë.

Ai ka luajtur përkrah aktorëve të mëdhenj shqiptarë si Roland Trebicka, Sandër Prosi, Mirush Kabashi, Hajrie Rondo, Kadri Roshi etj.

Në vitin 1990 mori titullin e lartë “Artist i Popullit”. Në vitin 2001 u shpall “Qytetar nderi” i Fierit. Në 31 maj të vitit 2005 atij i jepet titulli “Nder i Qarkut Fier”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.