Basha: Interesi i Berishës s’do të prevalojë mbi interesat e demokratëve

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se nuk pendohet për vendimin që mori për pezullimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, pasi SHBA e shpalli “non grata”.

Në një intervistë televizive Basha tha se “nëse i referoheni vendimit të DASH, qëndrimi im mbetet i njëjtë dhe nuk duhet askush nga demokratët ta komentojë. Sesi jemi ndjejë e kemi bërë të qartë. Vendimi është marrë pas një serie ngjarjesh dhe njihen qëndrimet e SHBA pas shpalljes së Berishës “non grata” dhe pozitës që u vendos PD”.

“Ajo që kam thënë është formuluar me kujdesin maksimal, bindja ime, interesi as i Berishës dhe as Bashës nuk do të prevalojë mbi interesat e demokratëve dhe dua ta them, interesat e PD-së që është alternativa e vetme e këtij pushteti të korruptuar”, shtoi Basha.

Bindja ime, vijoi Basha, në lidhje me vendimin që kam marrë është që kam marrë vendimin më të vështirë, por vendimin më të drejtë.

“Do të ishte më e lehtë të merrja vendime të tjera, por do të shkonin në dëm të PD-së dhe demokratëve dhe do të ishin më rënduese për Berishën”, tha ai.

I pyetur cila është bindja e tij, a ka kryer korrupsion Sali Berisha, ashtu sikur e akuzon SHBA, Basha tha se “nuk kam ndërmend të pështyu mbi asgjë të 16 viteve bashkëpunim me Berishën. Kemi pasur arritje të jashtëzakonshme për Shqipërinë, edhe problemet dhe gabimet tona”.

Kreu i PD-së u shprehur i bindur se PD ka vetëm një dhe jo dy kuvende kombëtare.

Basha deklaroi se Kuvendi do të mbahet në datën 18 dhjetor bazuar në statutin e partisë, duke shtuar se nuk mund të ketë as statute dhe as Kuvende paralele.

“Dua ta shpjegoj për qytetarët që PD vepron në bazë të disa rregullave si një parti demokratike. Nuk ka parti paralele, një PD këtu dhe një PD ku t’i teket dikujt tjetër. Nuk ka statute apo Kuvende paralele. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh më 11 dhjetor se PD-ja e ka Kuvendin me 18 Dhjetor. Strukturat e PD-së kanë qenë gati duke pritur dorëzimin e kërkesave. Nuk ka ndodhur. Dhe për t’iu përgjigjur interesit qoftë edhe të 5 demokratëve se nuk e dimë sa janë se janë të mbyllur në kasafortë, vendosëm thirrjen e Kuvendit më 18 dhjetor”, tha Basha.

Ai tha se “sot vij nga takime me dhjetëra demokratë që i kam të përditshme. Unë konsideroj edhe zërin e një demokrati të vetëm. E rëndësishme është të kuptohet që vullneti politik i demokratëve kanalizohet përmes statutit nga vota e tyre. Kjo ka ndodhur sa herë kemi pasur Kuvende dhe do të ndodhë edhe më 18 dhjetor”.

Basha tha se Berisha po përpiqet ta instrumentalizojë Partisë Demokratike në emër të interesave të tij personale.

“Shqiptarët sot masivisht dynden drejt Evropës për cilësinë e jetës dhe pavarësisht gjithçkaje shqiptarët duan të bëhen pjesë e BE. Është hera e parë që me qëndrimet dhe komunikimin tim po vendos një standard si duhet të sillet në shekullin XXI, një politikan që synon të udhëheqë vendin drejt Evropës. Duhet të diferencoj mes tre gjërave të ndryshme, ata që flasin në emër të demokratëve, demokratët e pakënaqur që kërkojnë ndryshimin, ata duan të dinë ku do ta çojmë Shqipërinë përballë një regjimi si i Lukashenkos dhe atyre që duan ta instrumentalizojnë PD për arsye personale si Zoti Berisha”, u shpreh ai.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.