Rruga e Arbrit, pamje spektakolare të peizazhit natyror

TIRANË, 29 nëntor /ATSH/ Rruga e Arbrit, një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore në vendin tonë, është hapur sot, duke ofruar jo vetëm standarde të larta për qarkullimin e automjeteve por edhe një pamje spektakolare të peizazhit natyror.

Kryeministri Edi Rama, publikoi pasditen e së dielës, pamje nga kjo rrugë ku shihen mjete që udhëtojnë rehatshëm dhe mjaft prej qytetarëve që ndalojnë për të bërë foto nga pamja e veçantë që ofrohet nga një urave të këtij aksi rrugor.

Rruga e Arbrit, konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm infrastrukturor që i shtohet natyrës së mrekullueshme dhe do t’i shërbejë forcimit të potencialit ekonomik dhe turistik të zonës.

Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km. Me një gjatësi rreth 74 km, ajo do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim.

Ky investim i strategjik, jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

Projekti i kësaj rruge, me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, është rikonceptuar tërësisht nga e para, me fokus ndërtimin e segmenteve rrugore që lidhin aksin nacional me fshatrat. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.