Rruga e Arbrit e kalueshme për qytetarët, Tiranë-Dibër vetëm 1 orë e 20 minuta

TIRANË 29 nëntor /ATSH-I.Vata/ Rruga e Arbrit çeli sot shtegun e vjetër në një dimension të ri infrastrukturor, bashkëkohor. Ajo është gati të ofrojë provizorisht një udhëtim dinjitoz, përgjatë 48 kilometrave të realizuara plotësisht dhe të dorëzuara, ndërkohë që mbeten edhe pak kilometra nga përfundimi i plotë i saj.

Aktualisht, kalohet provizorisht me bajpasin në Tunelin e Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë.

Prej 1 shekulli e ëndërruar nga shqiptarët, rruga shkurton ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe kryeqytetit, duke e bërë të përshkueshme në një hark kohor prej vetëm 47 minutash, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje. Ndërkohë që lehtëson transportin e qytetarëve dhe krijon më shumë aksesueshmëri për daljen në treg të produkteve të zonës. Por jo vetëm. Rruga është spektakolare për faktin se kalon përmes një natyre të mrekullueshme, që deri më sot ishte tërësisht e padukshme për shkak të izolimit.

Shumë herë e nisur, por asnjëherë e bitisur, me projekte të lëna në mes dhe punime gjysmake, rruga mbeti për vite të tëra, peng i mentalitetit “shkel e shko”. Sot, kjo rrugë është premtim i mbajtur nga qeveria, që shërben, jo vetëm si  aks i brendshëm, por edhe si pjesë e rëndësishme e një korridori ekonomik në rajon.

Në Dibër ishte sot kryeministri Rama, ku në mënyrë simbolike, në tunelin numër 2 u realizua edhe heqja e pengesës që shënon hapjen provizore të rrugës së Arbrit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku informoi se po bëhet gjithçka që rruga të  realizohet brenda afateve të përcaktuara.

“Jemi në dalje të tunelit numër 2 dhe në platformën që e lidh me tunelin 3. Në mënyrë simbolike do të ngremë traun që bllokon Rrugën e Arbrit për momentin. Kjo është një rrugë që zgjat 69 kilometra nga Tirana në Maqellarë, por në kontratën e koncesionit janë 54 kilometra, nga të cilat 48 ne i dorëzojmë sot, në përdorim. Siç e patë qafën e Murrizit e kemi zgjidhur përmes një bajpasi i cili është i gjatë 8,8 km. Është një bajpas provizor sepse ne duhet të vazhdojmë një pjesë të punimeve që duhen përfunduar. Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022 dhe do të bëjmë të pamundurën për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur” – u shpreh ministrja Balluku, teksa shpjegoi se problematike mbetet gjeologjia e veçantë e tunelit të Murrizit, që ka vonuar edhe punimet.

“Ashtu siç kemi informuar herë pas here problemi qëndron në gjeologjinë e Tunelit të Murrizit që është tuneli më i gjatë i kësaj vepre me 8,8 kilometra, një tunel ku ne kemi hasur në shtresa argjilore dhe burime ujore nëntokësore, të cilat e shkrijnë këtë argjil. Megjithatë aty punohen në mënyrë të vazhdueshme, por nuk ka atë ecuri që ne kemi patur në 5 tunelet e tjera, apo në tunelin e Skërficës, i cili mbaroi nga e njëjta kompani “Gjoka” në kohë rekord. Kjo është një ditë e shënuar. Rruga, shkurtohet nga katër orë që dikur shkohej në Dibër, sot shkohet për një orë dhe duke patur parasysh të gjithë segmentet e tjera që do t’i bashkohen në vazhdim të gjithë veprës, ne jemi të sigurtë që deri në prill gjithçka do të jetë në vendin e duhur.”- shpjegoi ajo.

Ministrja Balluku tha gjithashtu se janë marrë të gjitha masat, në koordinim me Policinë Rugore për informimin e drejtuesve të automjeteve, për specifikat e rrugës së hapur, duke kërkuar prej tyre, kujdes dhe respektim të rregullave të qarkullimit.

“Kemi bërë një koordinim shumë të mirë me policinë rrugore gjatë gjithë kohës, ku është punuar në këtë vepër dhe sidomos javën e fundit, duke qenë se është ende në kushtet e kantierit. Kështu që duhet të ketë një vëmendje nga policia rrugore gjatë gjithë kohës. Ne i kemi bërë thirrje përmes mediave të gjithë drejtuesve, të cilët duhet të tregohen të kujdeshëm, për të udhëtuar me shpejtësinë që parashikohet në të gjithë rrugën” – u shpreh ministrja e Infrastruktures dhe Energjisë Belinda Balluku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.