Gola dhe pasime për gol, ja fundjava e kuqezinjve në Europë

TIRANË 29 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kjo fundjavë që sapo lamë pas ishte mjaft pozitive për futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja në Europë.

Dy nga sulmuesit e Kombëtares shqiptare, Giacomo Vrioni dhe Sokol Cikalleshi kanë qenë sërish protagonistë me gola në skuadrat respektive, teksa ylli i mbrojtjes kuqezi, Berat Gjimshiti ka qenë një nga lojtarët kyç të Atalantës, që fitoi një ndeshje mjaft të vështirë në Torino ndaj Juventusit.

Bajrami dhe Doka kanë qenë gjithashtu futbollistë që kanë dhuruar asiste me skuadrat përkatëse në Itali dhe Kroaci. Një tjetër futbollist shqiptar, ai i Shpresave, Anis Mehmeti ka arritur sërish të gjejë rrugën e rrjetës me Wycombe në League One.

Giacomo Vrioni shënoi dy gola në kampionatin austriak me Tirolin, teksa fillimisht shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa pak minuta para fundit, Vrioni realizoi edhe golin e dytë vetjak. Një paraqitje e shkëlqyer e futbollistit shqiptar në Austri, i cili pas tripletës së shënuar javën e shkuar, tregon se po kalon një formë mjaft të mirë. Sulmuesi kuqezi është vlerësuar me notën 9 nga uebsajti i specializuar për statistika “SofaScore”.

Një paraqitje të mrekullueshme ka dhënë në Itali edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Shtylla e mbrojtjes kuqezi që aktivizohet me Atalantën ka qenë lojtari i asistit në golin e vetëm të shënuar nga zikaltërit në sfidën kundër Juventusit. Sipas uebsajtit të specializuar për statistika, “SofaScore”, Gjimshiti ka marrë notën 7.6 në këtë ndeshje, futbollisti i dytë më i mirë i skuadrës bergameske në këtë ndeshje.

E shtuna ka qenë mjaft pozitive edhe për Albi Dokën në kampionatin kroat, teksa futbollisti shqiptar ka dhënë një asist për autorin e golit, Lovriç. Një harkim perfekt i Dokës, me Lovriç që gjendet në zonë dhe e kthen në gol. Ashtu sikurse Gjimshiti, edhe Albi Doka është vlerësuar si lojtari i dytë më i mirë i skuadrës ku ai aktivizohet, Gorica në Kroaci, teksa SofaScore i ka dhënë notën 8.

Nedim Bajrami ka shënuar gjithashtu emrin e tij tek lista e “lojtarit-asist” në skuadrat përkatëse. Empoli ka fituar 2-1 në shtëpi në sfidën kundër Fiorentinës, teksa Bajrami asistoi në golin që i dha fitoren Empolit. Mesfushori kuqezi vinte nga stoli teksa u fut në fushë në minutën e 58-të, ndërsa sipas Sofascore, ai meritoi notën 7.3 për minutat e luajtura, një vlerësim mjaft i mirë për Nedim Bajramin.

Ndërkaq, lajme të mira vijnë edhe nga kampi kuqezi i Shpresave. Anis Mehmeti ka gjetur sërish rrugën e rrjetës me Wycombe në kampionatin anglez. Mehmeti realizoi golin e avantazhit në minutën e 23-të, teksa ndeshja ndaj Sheffield Wednesday u mbyll me shifrat 2-2. Anis Mehmeti duket se po kalon një formë të shkëlqyer me klubin e tij, teksa pak ditë më parë shënoi edhe dy gola me klubin e tij në Angli.

Këtë të diel ka qenë radha e Sokol Cikalleshit të shkruante emrin e tij në radhët e kuqezinjve që patën paraqitje të mira me skuadrat e tyre. Bomberi kuqezi realizoi një super gol për Koniasporin në kampionatin turk, teksa nga brenda zonës gjuajti topin me të majtën e tij, duke barazuar rezultatin përkohësisht.

Goli i Cikalleshit nuk vlejti për Koniasporin që u mund me shifrat 3-2. Edhe Sokol Cikalleshi, ashtu sikurse pjesa tjetër e kuqezinjve, është vlerësuar nga Sofascore si një nga futbollistët më të mirë në fushë. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.