COVID-19 – OBSH e klasifikon variantin Omicron me rrezik shumë të lartë global

VJENË, 29 nëntor /ATSH-DPA/ – Rreziku global i variantit të ri të koronavirusit, Omicron, është klasifikuar si “shumë i lartë” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Në një dokument të publikuar sot, agjencia e OKB-së thekson, gjithashtu, se shkencëtarët dinë ende shumë pak se si Omicron do të ndikojë në rrjedhën e pandemisë.

“Ekziston pasiguri thelbësore në lidhje me transmetueshmërinë e Omicron, potencialin e imunitetit (nga infeksioni ose imuniteti i shkaktuar nga vaksina), paraqitjen klinike, ashpërsinë e sëmundjes dhe përgjigjen ndaj kundërmasave të tjera të disponueshme (diagnostifikimi, terapia)”, tha OBSH në një deklaratë.

Vlerësimi i OBSH-së bazohet, ndër të tjera, në faktin se Omicron, që u zbulua në Afrikën Jugore, ka një sërë mutacionesh që kanë çuar në një rrezik më të lartë të infeksioneve të përsëritura te pacientët e rikuperuar nga variante tashmë të njohura.

Sipas OBSH, nëse ka një rritje të mprehtë të infeksioneve për shkak të Omicron, “pasojat mund të jenë të rënda”, sidomos në vendet ku pak njerëz janë vaksinuar, të cilët mund të preken rëndë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.