Nga viti i ardhshëm Shqipëria dhe Kosova me abetare të njëjtë

TIRANË, 28 nëntor /ATSH – I. Vata- “Vitin e ardhshëm me rastin e 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë do t’u dhurojmë nxënësve  të klasave të para si në Shqipëri dhe në Kosovë një abetare të re të përbashkët, të unifikuar për të gjithë nxënësit”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në ventin “Një Gjuhë, Një Abetare”.

Në Pallatin e Brigadave, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe ministrja e Arsimit Kushi organizuan eventin “Një Gjuhë, Një Abetare”

Në fjalën e saj, ministrja Kushi tha se “abetarja na ka mësuar të gjithëve jo vetëm shkrimin dhe leximin, por na ka bërë  më të vetëdijshëm për vlerën e gjuhës shqipe, për dashurinë për vendit, për njerëzit dhe për kulturën tonë. Abetarja padyshim lë gjurmë të çmuara në jetën e çdo njeriu prandaj është përgjegjësi e jona dhe detyrim që të garantojmë një tekst të abetares me standarde e cilësi të lartë për të gjithë nxënësit tanë të dashur”.

Kushi shtoi se “është mëritë e të gjithë autorëve ndër vite duke filluar që nga Naum Veqilharxhi më idhtari i vitit 1844, më pas rilindasit, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vaso, e më pas  Luigj Gurakuqi, Parashqevi Qirjazi, Simon Shyteriqi dhe në vitet e mëvonshme Aleksandër Xhuvani dhe plotë të tjerë të cilët hartuan dhe botuan abetare jo vetën për t’i mësuar gjuhën shqipe bashkëatdhetarëve të tyre gjatë udhëtimeve kudo në Shqipëri, por edhe për t’i përhapur ato në të gjitha vendet e tjera ku kishte shqiptarë në diasporë”.

“Ata me metodat e tyre të lexim shkrimit, me përmbajtjen, me paraqitjen figurative hodhën bazat të rëndësishme dhe nxitën vullnetin dhe pasionin tek  vogëlushët që të përvetësojnë gjuhën e bukur shqipe. Por  jo vetëm kaq, por dhe të pasurojnë fjalorin e tyre dhe të edukohen estetikisht dhe artistikisht. Punim i mirëfilltë shkencor i abetares shqipe u bë pas vitit 1944 nga metodisti i njohur Kol Xhumari, i cili është ndoshta autori i vetëm për një periudhë të gjatë i tekstit të Abetares deri në fillim të viteve 2000 dhe ka një kontribut të rëndësishëm  sepse e vuri abetaren në baza të mirëfillta shkencore, pedagogjike dhe gjuhësore. E më pas kontribut kanë  dhënë edhe autorët e abetareve të botuara gjatë dy dekadave të fundit duke përfshirë sigurisht dhe abetaren e përbashkët të vitit 2012″.

Kushi shton se “një abetare e re e vendosur në këtë kontekst të ri do të jetë një  vlerë e shtuar dhe do të japë një kontribut akoma më të rëndësishëm për edukimin e brezave të rinj”.

“Kemi një kontekst të ri social, kulturor,  historik. Kemi kurikulën e re të bazuar në kompetenca. Kemi metodologji të reja bashkëkohore të mësimdhënies, si dhe teknologji të përparuara duke përfshirë këtu dhe revolucionin e madh digjital. Që të gjitha këto duhet të reflektohen tek përmbajtja dhe  forma e abetares së re. Mbi të gjitha, unë kam bindjen se vendimi që  morëm para pak ditësh në Këshillin e Ministrave për të patur jo thjeshtë një abetare të re, por një abetare unike për të gjithë nxënësit tanë në të gjitha shkollat është vendimi i drejtë dhe vendimi i duhur për të patur të gjithë një standard të barabartë, cilësi, qasje dhe metodologji të barabartë”, tha ajo.

Ne vijim, Kushi shtoi se “kam besim se  puna për abetaren e re e ka një bazë shumë të mirë. Kemi përvoja ekzistuese ku mund të mbështetemi dhe jam e sigurte se autorët tanë, studiuesit, metodistët kanë të gjithë përkushtimin e  duhur për të konkurruar me abetare dinjitoze për të mësuar shkrimin e leximin vogëlushëve të klasave të para. Jam gjithashtu e lumtur se iniciativa e Kryeministrit për abetaren e unifikuar jo vetëm ka gjetur një mbështetje të gjerë në Shqipëri, por jam shumë e lumtur se dhe ftesa që Kryeministri i drejtoi qeverisë së Kosovës në mbledhjen e  përbashkët në Elbasan, gjeti miratim dhe unë së bashku me ministren e arsimit të Kosovës kemi dakordësuar për të filluar shumë shpejt nga puna që të ngrejmë një komision të përbashkët që më pas të merret me të gjitha procedurat për shpalljen e një konkursi të hapur”.

“Ne e kemi një përvojë shumë të mirë edhe në bashkëpunim me Kosovën duke filluar nga unifikimi i kurikulës në vitin 2014, ku Nikolla ka një kontribut të rëndësishëm. Po dhe së fundmi patëm mundësi të miratojmë tekstin e përbashkët të gjuhës shqip dhe të kulturës shqipe për fëmijët në diasporë. Kështu që e kemi  bashkëpunimin, gjithë eksperiencën mbi të cilën do të bazohet abetarja e re. Unë në muajin dhjetor do të jem në  Kosovë për të firmosur marrëveshjen e cila më pas do i hapë rrugë vendimit që vitin e ardhshme për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë ne t’i dhurojmë nxënësve  të klasave të para si në Shqipëri dhe në Kosovë një abetare të re të përbashkët të unifikuar për të gjithë nxënësit. E ku ka më bukur një komb, një gjuhë një abetare”, tha Kushi.

Nikolla: Kuvendi mbështet nismën e abetares së unifikuar

Kryetarja e Kuvendit, Linidta Nikolla në eventin e organizuar në Pallati i Brigadave “Një Gjuhë, Një Abetare”, vlerësoi punën e bërë deri më tani për unifikimin e abetares.

“Jam e bindur, se do të bëni të mundur për të shterruar të gjithë argumentet pse është e nevojshme që ne të kemi një abetare së pari këtu në Shqipëri dhe patjetër për të vijuar me Kosove dhe pse jo kudo tjetër ku mësohet gjuha shqipe. Por nga ana tjetër duke mbledhur kaq shumë argumente dhe vullnete dijetarësh të shkollës shqipe të universiteteve të Akademisë së Shkenca dhe shtëpive botuese, patjetër që dhe produkti do jetë ashtu siç u përcaktua një monument kulture që do të skalite me tërë dashurinë dhe dijen e duhur që meriton gjuha shqipe”, tha ajo.

Nikolla, shtoi se “më vjen mirë edhe për faktin që e keni adresuar si një projekt jo vetëm me studiuesit, tekst shkruesit shqiptarë por edhe përtej kufijve sepse abetarja është në një moment jo vetëm për të filluar me standarde të reja dhe teknologji të reja ku është përfshirë arsimi. Por është dhe momenti për të ngjizur atë fillin e përbashkues dhe kohezionin e nevojshëm për të operuar dhe bashkëpunuar edhe më fort mes Kosovës dhe Shqipërisë ne fushën e arsimit”.

“Kemi bërë progres përpara. Është shumë e rëndësishme për atë çfarë është dakordësuar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Ju bëjë me dije se një event i madh dhe shumë i rëndësishëm ka qenë Kuvendi i Albanologjisë me bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Kosovë për të vijuar me bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë jo vetëm komisioni përkatës të arsimit por gjithë komisioneve të tjera që do të bëjnë të mundur të bashkëpunojmë më shumë në të gjitha fushat dy kuvendeve dhe vendeve tona”, tha Nikolla.

Në fund, Nikolla theksoi se “ju garantoj se do të keni mbështetjen e komisionit të edukimit në këtë nisëm dhe doja t’ju informoj se kam ndërmarrë nismën që 22 nëntori dita e alfabetit të shpallet edhe në Shqipëri ditë kombëtare”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.