Bashkëluftëtarët kujtojnë Thaçin e Veselin

PRISHTINË, 28 nëntor/ATSH/- Për nder të 28 Nëntorit, Festës së Flamurit kombëtar, datëlindjes së Komandantit legjendar Adem Jashari, por edhe daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, disa ish-pjesëtarë të UÇK-së, dhe të tjerë të rinj kanë punuar një flamur me emblemën e UÇK-së si dhe imazhet e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarit Kadri Veseli të cilët së bashku edhe me ish-krerë të tjerë të UÇK-së prej më shumë se një viti po përballen me një proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadri Shala, tha se festat e nëntorit janë festa të cilat na bëjnë krenarë dhe duhet të na bëjnë të duam më shumë vendin.

Sipas tij, Thaçi, Veseli dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Sot bashkërisht me disa të rinj nga Kosova, dhe nga 8 qytete të Kosovës, kemi planifikuar që ta ngrehim një flamur në shenjë respekti për çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë, edhe në shenjë respekti për Ditën e Flamurit, ditën e Skënderbeut. Të gjithë e dimë që festat e nëntorit janë festa të cilat na bëjnë të gjithëve të ndihemi krenarë por njëkohësisht të jemi të bashkuar”, ka thënë ai.

Flamuri me emblemën e UÇK-së dhe imazhet e Thaçit e Veselit është vendosur në rrehtin pranë QKUK-së në kryeqytet. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.