Manastirliu: Zjarri te COVID 3 nuk ka prekur asnjë prej pavijoneve

TIRANË, 27 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu konfirmoi sot se zjarri i rënë në një prej ambienteve të spitalit COVID 3 nuk ka prekur asnjë prej pacientëve të shtruar, mjekëve apo stafit ndihmës.

Në një prononcim për mediet jashtë ambienteve të spitalit COVID 3, Manastirliu sqaroi se “nga ky incident nuk ka patur asnjë përfshirje në të tre pavijonet që ofrohet shërbim ndaj pacientëve me COVID-19”.

Sipas saj, “incidenti nuk ka ndodhur në zonat e pavijoneve, por në zonën e gjelbër, ku janë shërbimet mbështetëse”.

“Këtu janë tre pavijone që ofrohet shërbim ndaj pacientëve me COVID-19. Dua të siguroj që janë të gjithë shëndoshë e mirë. Incidenti nuk ndodhi në zonën e pavijonëve, por është një incident që ka ndodhur në zonën e gjelbër, ku janë shërbimet mbështetëse. Nuk është e lidhur me 3 pavijonet. Menjëherë sapo është evidentuar nga strukturat mbështetëse, është reaguar përmes bombolave fikse. Janë lajmëruar strukturat përgjegjëse, të cilat po hetojnë për shkakun e incidentit. Ajo çka është me rëndësi është se pacientët, stafi mjekësor janë shumë mirë. S’ka asgjë për t’u shqetësuar”, tha ajo.

Manastirliu theksoi se “incidenti ka ndodhur në këtë zonë të strukturës së ish-Kirurgjive, ku nuk ofrohet shërbim, sepse është zonë ndihmëse”.

Sipas saj, “janë mbi 70 pacientë në COVID-3, por nuk janë prekur nga ky incident”.

“Masat janë marrë në kohë, është vepruar përmes mjeteve fikëse, zjarrfikëset kanë ardhur në kohë dhe situata është në kontroll. Ka disa pista ku po hetohet. Po vlerësohen të gjitha pistat”, tha ministrja.

Më herët, Policia e Shtetit njoftoi se tek spitali “Covid 3” ka rënë zjarr në një nga zyrat e administratës, ku ka vetëm dëme materiale. Shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.

Sipas policisë, grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rënies së zjarrit.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.