Legalizimi i pallateve të braktisur nga investitorët, përfitues 23 mijë familje

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Kadastra Shqiptare informoi sot se janë 1300 pallate të legalizuara, të cilat janë vetëdeklaruar nga banorët.

Sipas Kadastrës këto pallate janë braktisur nga investitorët pa kryer procedurën e legalizimit.

Kadastra informoi se nga legalizimi i pallateve të braktisura nga investitorët kanë përfituar 23 mijë familje që sot gëzojnë pronën e tyre.

“Nga këto 8 pallate janë të legalizuara në vitet 2005-2013, 921 pallate janë legalizuar në periudhën 2013-2021. Sipërfaqja e banimit e legalizuar në total është 1.745 mijë metra katror, ndërsa sipërfaqja e shërbimeve të legalizuara është 1.450 metra katror”, bën të ditur Kadastra.

Ndërkaq, Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftoi se çdo të premte nga ora 13:00 deri në orën 15:00, do të vendosë në dispozicion punonjësit e saj për të dhënë asistencë ligjore dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve, në lidhje me shërbimet që ofron ASHK

Kështu, qytetarët e interesuar për shërbime të drejtorive vendore Tirana Veri, Tirana Jug, Tirana Rurale 1, Tirana Rurale 2 mund të paraqiten pranë zyrave të ADISA, në rrugën Jordan Misja (te ish-hipoteka).

Qytetarët e bashkive Kamzë dhe Vorë, mund të paraqiten në sportelet e ADISA në Bulevardin Blu, Bashkia Kamzë.

Kjo iniciativë do të zhvillohet shumë shpejt në të gjitha qytetet ku janë zyrat ADISA, njoftoi Kadastra.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.