Krifca: Vija mbrojtëse në Drin, deri në dhjetor e përfunduar

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishte sot në harkun e Bërdicës, Shkodër për të ndjekur nga afër punimet që po kryen në vijën mbrojtëse ndaj përmbytjes së lumit Drin, rrëmbimet e të cilit ndër vite kanë gërryer tokë bujqësore, duke përbërë rrezik edhe për jetën e banorëve në fshatrat pranë.

Krifca bëri të ditur se, me një investim prej 95 milionë lekë, mundësohet një proces pune që vesh segmente të bregut të lumit me gurë të përmasave të mëdha, me ndërtimin e paneleve tërthore, për të penguar rrymën ujore që të mos gërryejë më tokën bujqësore.

“Banorët përreth më gëzuan kur me entuziazëm më treguan se ky është një premtim i mbajtur”, deklaroi ministrja, teksa theksoi se, “vëmendja jonë është maksimale që deri në 24 dhjetor të jetë një punë e përfunduar për t’i paraprirë reshjeve të sezonit”.

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.