Protokolli i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë hyn sot në fuqi

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Shqipëria dhe Kosovë janë dakordësuar sot në mbledhjen  përbashkët të dy qeverive që po mbahet në Elbasan, për nënshkrimin e një protokolli i cili përcakton ngritjen e një Sekretariati të përbashkët midis të dy vendeve.

Kryeministri Edi Rama theksoi se ky Sekretariat do të jetë në funksion të një bashkëpunimi institucional midis dy vendeve për të lehtësuar ndërveprimin mes tyre.

Në fjalën e tij, kreu i ekzekutivit tha se “protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, të cilin pastaj Kryeministri do ta komentojë në vijim të prezantimit të këtij protokolli që parashikon ngritjen e Sekretariatit të përbashkët si një mekanizëm që do të sigurojë monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve dhe do të ndjekë angazhimet mes të dy qeverive tona në në nivelin e marrëdhënieve bilaterale mes anëtarëve të kabineteve qeveritare, në frymën e kabinetit ndërinstitucional duke kontribuar në jetësimin e parimeve dhe objektivave të deklaratës së partneritetit strategjik të nënshkruar në Prizren, Janar 2014”.

Bazuar në këtë protokoll bashkëpunimi, vijoi Rama, Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar ka për detyrë të informojë në mënyrë periodike dhe të prezantojë analizën e progresit të zbatimit të marrëveshjeve të lidhura mes palëve dhe në tërësi, thellimin e bashkëpunimit mes administratës së dy palëve,  pranë dy zyrave përkatëse të dy kryetarëve të qeverive dhe ndërkohë të informojë në kohë reale zyrat përkatëse lidhur me çdo problematikë që shfaqet në zbatimin e marrëveshjeve apo përmbushjen e angazhimeve.

Më tej, Kryeministri Rama tha se “për realizimin e detyrave në përputhje me legjislacionin në fuqi të palëve, Sekretariati Koordinues ndërqeveritar bashkëpunon ngushtësisht dhe koordinon aktivitetin institucional të të dyja palëve, jo vetëm në nivelin ministror, por edhe në nivelin e organizatave apo shoqatave që kanë një ndërveprim të angazhuar mes Shqipërisë dhe Kosovës si dhe natyrisht, me komunitetin e biznesit dhe të prodhuesve ne  të dy anët e kufirit për llogari të të dy palëve nënshkruese. Ky protokoll bashkëpunimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit të tij nga palët, pra sot”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.