Lufta kundër HIV/AIDS e prekur rëndë nga pandemia COVID-19

KEJP TAUN, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Pandemia e COVID-19 ka pasur pasoja dramatike për kontrollin e HIV-it, me burime njerëzore dhe financiare të devijuara, programet e parandalimit të komprometuara dhe furnizime të ndërprera.

“Megjithatë, edhe para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, lufta kundër HIV/AIDS po përparonte shumë ngadalë në mbarë botën”, paralajmëroi sot programi i OKB-së, UNAIDS dhe organizata të tjera të ndihmës, në një konferencë shtypi.

Sipas UNAIDS, personat e infektuar me HIV kanë dy herë më shumë rrezik për të vdekur nga COVID-19, në krahasim me popullatën e përgjithshme.

Megjithatë, shumica e personave që jetojnë me HIV ende nuk kanë akses në vaksinat kundër koronavirusit.

Dy të tretat e të gjithë personave me HIV jetojnë në Afrikën Subsahariane, ku vetëm tre për qind e popullsisë ka marrë të paktën një dozë vaksine kundër COVID-19 deri në mes të vitit.

“COVID-19 ka qenë pengesa më e rëndësishme në luftën kundër HIV-it”, tha drejtori ekzekutiv i Fondit Global për Luftën kundër SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malaries, Peter Sands.

Sipas Fondit Global, testimi i HIV-it ra me 22 për qind, duke penguar fillimin e trajtimit të HIV-it në shumicën e vendeve, ndërsa numri i njerëzve të arritur me programe dhe shërbime të parandalimit të HIV-it ra me 11 për qind.

Pandemia pati, gjithashtu, një “ndikim shkatërrues” në luftën kundër tuberkulozit (TB).

Në vitin 2020, numri i personave të trajtuar për TB rezistent ndaj barnave, në vendet ku investon Fondi Global, ra me 19 për qind.

Sipas shifrave të OKB-së, rreth 80 milionë njerëz në mbarë botën janë infektuar me virusin HIV, që nga rastet e para të raportimit të SIDA-s në vitin 1981 dhe 36,3 milionë kanë vdekur./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.