Kurti për marrëveshjet: Të punojmë si patriotë që të lehtësojmë jetën e qytetarëve tanë

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se “linja hekurudhore Prishtinë-Durrës është cilësi dhe shpejtësi në qarkullim njerëzish dhe mallrash, është ekologji dhe fuqi e tokës në det, rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve”.

Në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës që po zhvillohet në Elbasan, Kurti tha se “kjo hekurudhë është e rëndësisë ekonomike dhe gjeopolitike, e cila rrit dhe forcon shqiptarët, por ndihmon edhe rajonin, sepse ne jetojmë në rajonin tonë e me fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do ta ndajmë edhe të ardhmen”.

“Marrëveshjet që kemi përpara do të lehtësojnë edhe më tej procedurat e marrjes së lejes së qëndrimit. Po hapim pikën e re kufitare në Krushevë të Dragashit dhe në Shishtavec të Kukësit për të lehtësuar qarkullimin dhe për të zhvilluar e lidhur komunitetet tona. Po mbështesim bashkëpunimin kulturor në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, por edhe në krijimtari, përmes një kalendari të përbashkët kulturor, sepse siç thoshte Fishta, “vërtet ne kemi Bajram dhe Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë””, nënvizoi Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se, “po rrisim bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, në fushën e doganave duke lehtësuar kalimin e duke zvogëluar kohën e pritjes, si dhe po lehtësojmë njohjen reciproke të diplomave e certifikatave. Për t’u siguruar se marrëveshjet do të zbatohen, tashmë kemi edhe një koordinator të përbashkët, gjë për të cilën  falënderoj qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe kryeministrin Rama. Të përshpejtojmë hapat e veprimit, të rrisim cilësinë e zbatimit që të shpejtojmë integrimin mes vendeve tona e në Bashkimin Evropian”.

Më tej, Kurti tha se “të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, të thuash se jemi të lumtur se kemi dy shtete do të ishte, sepse kështu jemi më të fortë do të ishte sa tepri, aq edhe pashkurtësi. Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar do të shquanin për nacionalistë dhe të thuash se do të bashkohemi në Bashkimin Evropian, të shquajnë për diplomat. Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë”.

“Si diplomatë jemi të vetëdijshëm se mbledhja e dy qeverive tona është në horizontin e nderimeve. Sa më i projektuar dhe i mirëndërtuar horizonti i marrëdhënieve tona aq më i mundshëm është integrimi në Bashkimin Evropian, i cili është fati ynë. Integrimi i dy vendeve tona është strategjik, por edhe qëllimor. Progresi në numër i marrëveshjeve duhet të shoqërohet siç e tha dhe Kryeministri Rama, me cilësinë e zbatimit të tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike dhe historike. Si patriot duhet t’i forcojmë të dy shtetet, sepse patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar, të luftosh për lirinë e medies dhe mendimit, për gjyqësor të pavarur dhe ekonomi gjithëpërfshirëse me drejtësi sociale. Vetëm ky lloj patriotizmi do të forcojë shtet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar në vendin e tyre”, theksoi Kurti duke shtuar se bashkëpunimin me njëri-tjetrin nuk e kemi dëshirë e zgjedhje, por e kemi detyrë.

Kurti tha se “njerëzit tanë duhet të lëvizin e punojnë, duhet t’u lehtësohet qarkullimi dhe qëndrimi, duan të prodhojnë e ndaj duhet t’u lehtësohet mundësia bizneseve dhe tregtisë. Kjo punë ka filluar të ecë, por tani duhet të vrapojmë si në shpejtësi ashtu edhe në cilësi”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.