PS amendament për buxhet shtesë për KPA

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se PS ka depozituar në Kuvend një amendament për një buxhet shtesë prej 60 milionë lekë për Komisionin e Posaçëm të Apelimit.

Në fjalën e tij në Kuvend, Balla tha se “amendamenti që kam depozituar është saktësim i një diskutimi që është bërë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe ka të bëjë me një qasje që Kuvendi i Shqipërisë e ka pasur në mënyrë të kahershme prej vitit 2016 kur mori udhë Reforma në Drejtësi”.

Balla tha se “Kuvendi ka mbështetur kërkesat që kanë ardhur nga institucionet e reja të krijuara në sistemin e drejtësisë, për ti mbështetur kërkesat e tyre për një buxhetim sa më adekuat të aktivitetit të tyre. Edhe nga ana e opozitës ka pasur disa diskutime, të cilat e kanë mbështetur nevojën për të rritur mbështetjen buxhetore të këtyre institucioneve”.

Më tej Balla u shpreh se, “amendamenti që kam depozituar ka të bëjë më një kërkesë që ka ardhur nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, që ka ardhur edhe nga Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Të dyja së bashku e kanë kërkuar në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe përshpejtimit të punës nga ana e KPA-së”.

Balla bëri të ditur se “procesi i Vetting-ut në Shqipëri zhvillohet në dy nivele, niveli i parë është Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe njësia e apelimit që është Komisioni i Posaçëm i Apelimit, të cilët kanë kërkuar një shtesë në buxhet për të rritur kapacitetet e tyre në burimet njerëzore në mbështetje të vlerësimit që bën ky komision”.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.