Ibrahimaj: Investimet publike 6.4% e PBB-së, Paketa Fiskale nxit sektorët prioritarë

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot gjatë vitit 2022 investimet publike janë planifikuar në masën 6.4 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe se mbështetja për arsimin dhe shëndetësinë shkon në 3.6 dhe 3.5 % të PBB-së.

Ministrja në fjalën e saj në Kuvend, teksa po diskutohet nen për nen projektbuxheti dhe Paketa Fiskale, iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për shpenzime luksi.

”Ne do të vazhdojmë të mbajmë një shifër të lartë të investimeve publike, rreth 6.4 % të Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo shifër është e rëndësishme të theksohet sepse është më e lartë se sa norma e pritshme e rritjes ekonomike. Do të thotë se këto shpenzime do të çojnë në rritje ekonomike në vitin në vijim. Ka patur aludime për shpenzime luksi, ka pasur aludime për komponentë të shpenzimeve të personelit të cilat, nuk qëndrojnë. Me shifra dua të çmitizoj perceptimin e një administrate publike të fryrë, të cilat aktualisht në Shqipëri janë më të ulëtat se sa në vendet e tjera të rajonit dhe në shumë vende të tjera të botës. Në Shqipëri janë 616 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Serbi, janë 690 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Maqedoninë e Veriut janë 638 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Malin e Zi janë 955 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Francë janë 812 punonjës për 10 mijë banorë. Në Kroaci janë 714 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Fakt është se numri i punonjësve publikë që në kemi sot është më i ulët sesa ai i vendeve fqinje, apo ai vendeve të BE-së”, u shpreh ministrja.

Duke u ndalur te shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, Ibrahimaj tha se ato llogariten 57.8 miliardë lekë.

“Edhe këtu është përmendur se janë shpenzime luksi të administratës. Në fakt, 40 % e këtyre shpenzimeve shkojnë për mbështetje direkte drejt fermerëve. Janë 3.2 miliardë lekë që shkojnë për mbështetje direkte ndaj fermerëve. Janë 4 miliardë lekë që do të shkojnë për mirëmbajtje të sistemeve të IT-së, të cilat ne na kanë shërbyer për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve, për të përmirësuar eficiencën e administratës publike. Janë 8.3 miliardë lekë në këtë buxhet që shkojnë për mbrojtjen. Janë 2,7 miliardë lekë që shkojnë për funksionimin e institucioneve të Drejtësisë dhe 2.1 miliardë lekë që shkojnë për Policinë e Shtetit”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, pjesa tjetër e shpenzimeve kanë të bëjnë me emergjencat civile, me menaxhimin e mbetjeve urbane, me zhvillimin ekonomik dhe turizmin, etj.

“Ne mendojmë se politikat e zgjedhura, duke injektuar stimuj fiskalë në ekonomi, janë të duhurat dhe janë politika që do të na lejojnë të vijojmë zhvillimin ekonomik dhe të rrisim mirëqenien e qytetarëve. Ky buxhet është një buxhet që mbështet të gjithë shtresat në nevojë dhe mbështet investimet me qëllim që ne të arrijmë një rritje të qëndrueshme në vitet në vijim”, tha ministrja.

Duke folur për Paketën Fiskale 2022, ministrja Ibrahimaj tha se përmes saj synohet të nxiten sektorët prioritarë të ekonomisë. Ministrja iu përgjigj edhe kërkesës së opozitës për ulje të TVSH-së për mallrat e shportës.

“Qeveria jonë, në tetë vitet e kaluara, ka qenë shumë e kujdesshme me qëllim që të nxisë ato sektorë të cilët janë prioritarë. Nxitja në këto vite ka qenë duke ofruar incentive fiskale. Ne mendonim se duke reduktuar taksat, këto taksa të reduktuara do të shkonin në xhepat e qytetarëve, do të shkonin në xhepat e fermerëve. Por nuk ka ndodhur kështu. Në fakt, të gjithë përjashtimet nga TVSH-ja nuk janë përkthyer në ulje të çmimeve. Dua të theksoj se edhe FMN, në misionin e vet të fundit, nuk mbështet uljen e TVSH-së për produktet e shportës dhe kjo ndodh për një arsye. Arsyeja e vetme është ajo që sapo thashë, këto reduktime të normës së TVSH-së nuk përkthehen në ulje të çmimeve”, deklaroi ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.