Gjirokastër, aktivitete në 16-vjetorin e isopolifonisë në UNESCO

TIRAN, 25 nëntor/ATSH/ Bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh, në 16-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në UNESCO.

16 vjet më parë, në 25 nëntor 2005, isopolifonia popullore shqiptare u shpall “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, e mbrojtur nga UNESCO. Ndaj kjo datë është një ditë historike, për mbarë trashëgiminë kulturore shqiptare, por dhe për vetë Shqipërinë.

Në aktivitetet e organizuara nga bashkia është promovuar isopolifonia dhe vlerat e traditës popullore, folklorit, veshjeve dhe kostumeve popullore.

Kryetari i bashkisë, Flamur Golemi tha se “në muajin korrik festuam 16-vjetorin e përfshirjes së Gjirokastrës së gurtë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore, çka ka mundësuar një kujdes të vazhdueshëm në vite për restaurimin dhe rijetëzimin e vlerave arkitektonike të trashëguara në breza si dhe promovimin e qytetit, për zhvillimin e suksesshëm të turizmit”.

“Prej 16 vitesh edhe isopolifonia jonë popullore, kjo vlerë e jashtëzakonshme e folkut shqiptar është vendosur në vendin që meriton, në listën e kryeveprave të botës shpirtërore të njerëzimit, duke mundësuar pasurimin dhe mbajtjen gjallë të saj, si një ndër simbolet e rëndësishme kombëtare”, theksoi Golemi.

Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “do të vazhdojmë të mbështesim promovimin dhe transmetimin në breza të folkut, etnografisë, veshjeve tradicionale sepse vlerat e traditës sonë popullore janë një aset i paçmuar kombëtar, por edhe një pikë e fortë për zhvillimin e turizmit në Gjirokastër”.

Për dy ditë me radhë në Gjirokastër po zhvillohet Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Isopolifonisë, organizuar nga bashkia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale. Pjesëmarrës në këtë festival janë 17 grupe të interpretimit të polifonisë dhe përshëndetës me rreth 250 artistë popullorë, duke shpalosur vlerat më të arrira të folkut dhe traditës shqiptare.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.