Gjiknuri: Vetingu proces mbi palët, besoj në reflektimin pozitiv të opozitës

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherësh drejtues politik i qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri deklaroi sot se “procesi i Vetting-ut ka nisur rrugën e tij. Është proces mbi palët dhe adreson një problem të ngritur për shkak të skadimit të një afati”.

Në një prononcim për mediet nga Elbasani, ku mori pjesë në festimet për 109-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së këtij qyteti, Gjiknuri u shpreh se “ka një marrëveshje, një reformë të dakordësuar, ka dhe institucione të ngritura që po funksionojnë”.

I pyetur nëse mendon se ndryshimet Kushtetuese do të bëhen pa opozitën, Gjiknuri tha se, “besoj që edhe me reflektimin pozitiv të opozitës shqiptare do të jemi në gjendje t’u zgjasim jetën këtyre organeve, për të cilat kemi rënë dakord”.

“Nuk kemi të bëjmë as me marrëveshje të re politike dhe as të ndonjë ndryshimi strukture apo ngrehine kushtetuese, e cila rrjedh si dakordësi e palëve politike”, tha Gjiknuri.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.