Fermerët pas takimit me kryeministrin: Pranoi këndvështrimin tonë, do takohemi përsëri

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot për të diskutuar dhe miratuar në seancë plenare nen për nen projektbuxhetin e vitit 2022 dhe Paketën Fiskale që shoqëron atë, teksa fermerët janë mbledhur në ambientet përpara Kuvendit, duke protestuar kundër saj.

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit dhe i ka ftuar fermerët të diskutojnë bashkërisht.

Pas takimit me Kryeministrin Rama kreu i Shoqatës së Fermerëve, Eduart Sharka tha në një prononcim për mediet, se i kërkuan kryeministrit për të mos i miratuar sot ndryshimet në Paketën Fiskale 2022.

“Ne i thamë kryeministrit që është keqinformuar, pasi është hequr TVSH-ja 6 % dhe janë alokuar fondet 9 milionë USD tek fondet e AZHBR-së për subvencione. Por 6 % nuk është 9 milionë USD, është gati 200 milionë USD dhe ne kërkojmë që ai 6 % të alokohet tek fermerët nëpërmjet faturës tatimore”, u shpreh Sharka.

Sipas tij, fermerët ndodhen në vështirësi të mëdha dhe 30 % prej tyre nuk kanë porositur farat për të mbjellë, për arsye se kanë dështuar për tre vite.

Ai tha se i kërkoi kryeministrit që të ulen me ekspertët, ndërsa në parim kanë rënë dakord për të zhvilluar një takim për këtë çështje.

“Ne mendojmë se qeveria nuk i njeh problemet reale të fermerëve. 30 % e fermerëve nuk kanë porositur për të mbjellë, sepse kanë 3 sezone që dështojnë. Ramë dakord që cilësia e inputeve bujqësore është e pagarantuar. Në rast se ekspertët e qeverisë ulen me ne dhe marrin në konsideratë problemet tona, mund të zgjidhim diçka. Ne kemi një traditë se na thërrasin për të dëgjuar dhe thonë si punohet. Kur thërret për të dëgjuar duhet të dëgjosh. Megjithatë kryeministri pranoi këndvështrimin tonë. Ramë dakord që të ulemi dhe të diskutojmë”, deklaroi Sharka.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.