Ligji për parandalimin e pastrimit të parave sipas standardeve të BE-së

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Komisioni i Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, diskutoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin  “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.

Të ftuar për të dhënë shpjegime rreth projektligjit ishin Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe Elvis Koçi, drejtor i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave si dhe përfaqësues të tjerë, të të dy dikastereve.

Vjero tha se, “projektligji që diskutojmë sot, synon përafrimin e legjislacionit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, me direktivën e BE-së”. “Gjithashtu, theksoi ajo, ky projektligj vjen edhe si një detyrim që rrjedh nga MSA dhe njëherazi shpreh angazhimin që Shqipëria ka marrë në forumin e Ballkanit Perëndimor, ku është theksuar se këto përmirësime ligjore do të realizohen brenda këtij viti”.

“Pr.ligji vjen pas një konsultimi të gjatë me grupet e interesit dhe ky dokument reflekton edhe sugjerimet që janë bërë nga BE”, theksoi Vjero.

Në vijim të raportimit të saj, zv.ministrja vuri në dukje se, “në projektligj janë shtuar si subjekt raportues të gjitha atë që merren me tregtimin e veprave të artit, subjektet ndërmjetësues të pasurive të paluajtshme që kryejnë transaksione mbi 500 mijë lekë për dhënien me qira, apo dhe subjekteve apo individ që tregtojnë mallra në vlerën e mbi 1 milionë lekë”.

Në interes të pyetjeve nga deputet e komisionit, Elvis Koçi, drejtor i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, tha se “ndërtimit është një ndër sektorët që ka vlera të larta të transaksioneve dhe si tillë është vunerabël për t’u përdorur për pastrim parash dhe një nga mënyrat që ne propozojmë që sektori të rregullohet pak më mirë është edhe licensimi i ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme kjo sipas standardeve ndërkombëtare”.

Ndërsa në lidhje interesin e deputetëve për regjistrin e pronarëve përfitues, zv.ministrja Vjero tha se, “ky regjistër është aktiv dhe ndodhet në Qendrën Kombëtare të Biznesit”.

“Nga QKB është vërejtur se janë 59 mijë subjekte që duhet të kryejnë vetë deklarimin e pronarëve përfitues nga të cilën 9 mijë janë subjekte me status të pezulluar, çka do të thotë që nuk e kanë këtë detyrim pasi nuk janë duke ushtruar asnjë aktivitet ekonomik dhe 50 mijë subjekte duhet të popullojnë të dhënat. 21 500 subjekte kanë kryer deklarimin e këtyre të dhënave”, deklaroi Vjero.

Ministrja bëri të ditur se, duke dashur që regjistri të popullohet sa më shumë, po përgatitet një propozim nga QKB, që synon dhënien e së drejtës të QKB-së, që të mund të popullojë ajo të dhëna për ata që janë pronarët direkt. Ndërkohë që do të shikohet mundësia e shtyrjes së afatit për ata që janë pronarë indirekt deri në një periudhë të caktuar.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.