Fshatrat nën rrëzë të Tomorit, mrekullia e rrallë e natyrës

TIRANË, 24 nëntor /ATSH-I.Vata/ Fshati Dardhë, në Parkun Kombëtar “Mali i Tomorit”, ofron pamjet më piktoreske për turistët, një vendbanim ku njerëzit gjetën strehë nën këmbët e një mali madhështor e të shenjtë.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat, na sjell pamje nga fshati Dardhë, në Parkun Kombëtar “Mali i Tomorit”.

Natyra është treguar shumë bujare me këto zona.

Nën këmbët e malit madhështor të Tomorit, ndodhen disa fshatra malore që tashmë janë kthyer në kuriozitete për turistët e aventurës, historisë dhe mitologjisë, të tillë si Dardha, Qafë-Dardha, Perisnaka, Kostreni i Madh, Bogdani.

Arsimi dhe kultura, mikpritja tradicionale janë virtyte karakteristike të vendasve.

Peizazhet janë befasuese me ujëvara, burime, liqene e shkëmbinj të thepisur. Ka disa liqene akullnajore ku në krye qëndron Sheshi i “Shën-Pjetrit”.

Parku Kombëtar “Mali i Tomorit” ka një sipërfaqe 23444.2 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Brenda tij ndodhet edhe varri i Abaz Aliut (Tyrba e Kulmakut), 1200 m mbi nivelin e detit, ku çdo vit në fund të muajt gusht, mijëra pelegrinë ngjiten për të zhvilluar për një javë ritet e bektashinjve.

Ky park shtrihet në 2 qarqe të mëdha, qarkun e Beratit dhe atë të Elbasanit.

Ja si e përshkruan Eqrem bej Vlora krahinën e bukur në vitin e largët 1906: “…“Pasi kthehemi nga shëtitja në shtëpi, ja shtrojnë darkës me mish në hell dhe me raki, në odën tjetër po të njëjtën gjë bëjnë dhe njerëzit që më shoqërojnë, të cilët kishin ardhur në qejf dhe po këndonin duke e zgjidhur gjuhën për t’u dukur kush më i mirë se fqinji. Ajo që më gëzoi më shumë, qe pastërtia dhe gatimi për merak i pilafit, ëmbëlsirave, shto dhe fruta pa mbarim të prodhuara në vend. Aty bëmë planin për t’u ngjitur në majën e Tomorit drejt të shenjtit Abaz Aliu. Si udhërrëfyes, na prini i zoti i shtëpisë me njerëzit e tij, krahas atyre që më shoqëronin mua. U zgjova të nesërmen më 8 tetor 1906. Fati ishte me ne se moti u hap, dielli shpërndahu retë dhe ne s’ngopeshim me mrekullitë e rralla të natyrës poshtë këmbëve tona, me Bargullasin, Novajn, Sirakën, lumin e Beratit, majat e maleve të Skraparit e deri në zonat e Tepelenës”.

Për të apasionuarit e natyrës aty gjenden 12 monumente natyrore, 2 bio-monumente, 10 gjeo-monumente, si dhe 125 burime natyrore të cilat befasojnë turistët.

Parku ka kryesisht pyje ahu, pisha si dhe ka kullota alpine, që ndodhen në lartësinë 1000 deri 2000 metra mbi nivelin e detit. Si rrjedhojë ai formon pyje të thjeshtë rreth fshatrave Dardhë, Lybeshë dhe Kapinovë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.