Turizmi, ndikim në rritjen e punësimit të të rinjve

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Nxitja e punësimit të të rinjve, një prioritet i vazhdueshëm për Shqipërinë, është një ndër objektivat kryesorë të bashkëpunimit që po zbaton qeveria me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Për të prezantuar rezultatet, ndikimin dhe për të diskutuar sfidat e përbashkëta në të ardhmen, në Tiranë u organizua një aktivitet ku merrnin pjesë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maître, Arlind Gjokuta, Sekretar i Përgjithshëm, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Jens Engeli, drejtor Rajonal i “Helvetas” për Europën Juglindore, si dhe më shumë se 100 përfaqësues të institucioneve publike dhe private në Shqipëri.

“Teksa Shqipëria përgatitet për tregun evropian, vendosja e standardeve është moment kyç. Standardet ndërkombëtare janë kyçe për turizmin, përfshirë ruajtjen e mjedisit. Standardet janë thelbësore për të mbajtur vizitorët. Mungesa e punonjësve të kualifikuar është sfidë. Nëse ka një element që garanton sukses është koordinimi i mirë mes faktorit publik dhe sektorit privat”, tha Adrian Maître, ambasador i Zvicrës në Shqipëri.

Ndërsa Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, vlerësoi modelin Visit-Gjirokastra dhe theksoi se turizmi është një mënyrë e mirë për të rritur punësimin, ndërsa njoftoi zgjerimin nga 18 në 23 % të zonave të mbrojtura, përfshirë edhe Luginën e Vjosës.

Në këtë takim, paneli i dytë u fokusua në eksperiencat dhe shembujt konkretë të angazhimit në punë të të rinjve.

Përgjatë këtyre 8 viteve, qeveria në bashkëpunim me SDC ka punuar me pothuajse 80 institucione publike dhe private në Shqipëri për të prezantuar mënyra inovatore dhe të qëndrueshme të bërjes së biznesit, si e vetmja mënyrë për të krijuar vende të reja dhe të qëndrueshme pune për të rinjtë.

Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi është për të krijuar më shumë mundësi punësimi duke u fokusuar në 3 drejtime kryesore: zhvillimi i sektorit privat në Shqipëri, prezantimi dhe përmirësimi i shërbimeve të orientimit në karrierë dhe ndërmjetësimit, si dhe zhvillimin e aftësive në përputhje me tregun, për të përmbushur kërkesat e bizneseve.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.