COVID-19 – Izraeli fillon vaksinimet për mbi pesëvjeçarët

TEL AVIV, 23 nëntor /ATSH-DPA/ – Izraeli ka filluar të vaksinojë fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç kundër COVID-19.

Edhe pse fushata e vaksinimit filloi zyrtarisht sot, disa fëmijëve iu administrua vaksina BioNTech/Pfizer në disa vende një ditë më parë.

Komisioneri e shtetit për Koronavirusin, Salman Sarka foli për një “festë për fëmijët dhe prindërit, të cilët tani mund të mbrojnë fëmijët e tyre”, sipas raporteve të medieve.

Kryeministri Naftali Bennett u kishte bërë thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre, duke theksuar se vaksina është e sigurt dhe efikase, duke iu referuar edhe valës së COVID-19 në Evropë.

Izraeli po sheh gjithashtu një rritje të shkallës së infeksionit.

Fëmijët e grupmoshës 5-11 vjeç marrin një të tretën e dozës së të rriturve.

Sipas prodhuesit, vaksina ka një efikasitet prej 91 për qind në këtë grupmoshë në lidhje me format simptomatike të sëmundjes./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.