Reagime të ashpra pas largimit të Solskjaer nga ”Manchester United”

LONDËR, 22 nëntor /ATSH/ – Drejtuesit e ”Manchester United” shkarkuan trajnerin Ole Gunnar Solskjaer vetëm disa muaj pasi ai nënshkroi një kontratë të re afatgjatë me klubin, deklaroi ish-kapiteni Gary Neville, shkruan BBC.

Solskjaer u largua nga detyra të dielën, një ditë pasi United humbi 4-1 me ”Watford”.

Norvegjezi kishte nënshkruar një kontratë të re deri në korrik të 2024 dhe Neville beson se ”largimi i tij tani nxjerr në pah mungesën e planifikimit në klub”.

”Ata po grinden dhe po reagojnë. Tri herë i kanë dhënë një trajneri një kontratë të gjatë  pune apo zgjatje të saj dhe më pas i kanë pushuar brenda pak muajsh. Kështu që vazhdimësia në këtë klub mbetet një problem”, shtoi Neville.

Edhe trajneri aktual i ekipit, Michael Carrick, është vetëm përkohësisht deri në fund të sezonit.

Neville thekson se nuk është një veprim i mençur që drejtuesit të presin deri në caktimin e një trajneri të përhershëm.

“Unë shqetësohem se si vetëm brenda pak javëve ekipi është shpërbërë”, thekson Neville.

”Drejtuesit presin që Pochettino të dështojë në një klub tjetër, por, nëse ai fiton Ligën e Kampioneve, atëherë Paris St-Germain nuk do ta lërë të largohet. Është i vetmi emër që mendoja se ishte i përshtatshëm për ‘Manchester United”, shtoi ai.

Solskjaer e udhëhoqi klubin në vendin e dytë në Premier League sezonin e kaluar dhe gjithashtu pati 29 ndeshje në shtëpi pa humbje, më e gjata në futbollin anglez.

Megjithatë, ai po largohet pa fituar asnjë trofe në tre vitet e tij në detyrë./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.