COVID-19 – Vaksina e Pfizer 100% efikase tek adoleshentët edhe pas 4 muajsh

UASHINGTON, 22 nëntor /ATSH-AFP/ – Vaksina kundër COVID-19 e kompanisë farmaceutike Pfizer mbetet 100 për qind efikase më shumë se katër muaj pas injektimit të dytë te moshat 12-15 vjeç, njoftoi sot kompania, sipas të dhënave të përditësuara që duhet të mbështesin një kërkesë të ardhshme për autorizim të plotë të ilaçit për këtë grupmoshë.

Vaksinës së aleancës Pfizer/BioNTech i është dhënë aktualisht autorizimi i përdorimit urgjent për adoleshentët, që nga maji, në SHBA.

Kompanitë publikuan sot informacione të përditësuara nga prova e tyre klinike, që përfshinë më shumë se 2 200 adoleshentë midis moshës 12 dhe 15 vjeç.

Pjesëmarrësit janë ndjekur tashmë për të paktën katër muaj pas injektimit të dytë.

Tridhjetë raste me COVID-19 janë regjistruar në mesin e adoleshentëve që kanë marrë placebo, kundrejt asnjë rasti në grupin që ka marrë vaksinën.

Ky është efektivitet 100 për qind ndaj rasteve simptomatike të sëmundjes.

Sipas deklaratës së Pfizer, këto të dhëna u mblodhën midis nëntorit 2020 dhe shtatorit 2021.

Përveç kësaj, “asnjë shqetësim serioz për sigurinë nuk është vërejtur tek individët, me të paktën gjashtë muaj ndjekje,” shtoi gjiganti farmaceutik.

Vaksinat e ARN-së nga Pfizer dhe Moderna janë lidhur me një rrezik të shtuar të miokarditit, një inflamacion i muskulit të zemrës, veçanërisht te meshkujt adoleshentë, por këto raste mbeten shumë të rralla dhe përfitimet e vaksinimit vazhdojnë ta tejkalojnë këtë rrezik, sipas të gjithë ekspertëve./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.