COVID-19- Italia ofron kujdes intensiv për pacientët nga Gjermania

ROMË, 19 nëntor /ATSH-DPA/- Rajoni verior italian i Lombardisë ka vendosur të pranojë pacientë me Covid-19 nga Gjermania që kanë nevojë për kujdes intensiv, njoftoi sot nënkryetarja e qeverisë rajonale, Letizia Moratti.

“Spitalet gjermane janë në një emergjencë dramatike, ku njësitë e kujdesit intensiv janë në prag të kolapsit”, shkroi ajo në Facebook.

Pas ndihmës së ofruar nga Gjermania për Italinë në pranverën e vitit 2020, unë e konsideroj të përshtatshme dhe si detyrën tonë t’i ofrojmë Gjermanisë disponueshmërinë për të pritur pacientë me Covid-19 në spitalet tona, për të ofruar lehtësira dhe kujdes intensiv,” tha Moratti.

Nënkryetarja e qeverisë rajonale, Moratti ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Mirëqenies në rajon të marrë masa në këtë drejtim.

Në Lombardi, janë zënë vetëm 4 përqind e shtretërve të kujdesit intensiv, sipas Agjencisë Kombëtare për Shërbimet Mjekësore të Rajoneve.

Në shkallë vendi, shkalla e zënies së njësive të kujdesit intensiv ishte 6 për qind. Javën e kaluar, provinca e Tirolit jugor kishte pranuar dy pacientë me Covid-19 nga Freising, Bavari. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.