Dy plane kombëtare mbështetjeje për komunitetin rom, egjiptian dhe LGBTI+

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot dy plane kombëtare veprimi, planin kombëtar të veprimit për më shumë barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje për komunitetin rom dhe egjiptian, si dhe planin e veprimit për mbështetjen e personave LGBTI+.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot pas mbledhjes së qeverisë se, “plani kombëtar i veprimit për më shumë barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje për komunitetin rom dhe egjiptian është 5-vjeçar, 2021-2025 dhe është hartuar me bashkëpunimin e shoqërisë civile”.

Sipas saj, ky plan integron gjithë përpjekjet e institucioneve dhe shoqërisë civile, për të rritur aksesin në shërbime për komunitetin rom dhe egjiptian si dhe për të mundësuar më shumë punësim, arsim, më shumë mbështetje sa i përket politikave të strehimit social për komunitetin rom dhe egjiptian.

“Gjatë katër viteve të shkuara falë edhe një plani veprimi kombëtar 2016-2020 arritëm të mundësonim një hapësirë akoma më shumë të gjerë për këto komunitete. Kemi vlerësuar në çdo moment të politikave tona sociale integrimin dhe përfshirjen e komunitetit rom dhe egjiptian në të gjitha politikat tona duke siguruar akses në shëndetësi, në formimin profesional e punësim, në strehimin social, si dhe sistemin shëndetësor dhe arsimor”, theksoi Manastirliu.

Sa i përket planit të dytë kombëtar të veprimit për mbështetjen e personave LGBTI+, Manastirliu tha se “ky plan është garantuar në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile Avokatin e Popullit, Komisionerin e Mbrojtjes nga Diskriminimi. Është një plan veprimi 7- vjeçar 2021-2027, i cili vendos theksin tek lufta kundër diskriminimit, homofobisë dhe garanton nëpërmjet veprimeve të këtij plani aksesin e personave LGBTI+, në arsimim, shëndetësi, në të gjithë shërbimet publike, në drejtësi dhe në programet e punësimit dhe ato të aftësimit profesional”.

“Këto dy programe do të bëhen të mundura falë një buxheti specifik të vendosur nga qeveria shqiptare, por në mbështetje edhe me partnerët ndërkombëtarë”, tha Manastirliu.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.