24 milionë lekë për rikualifikimin e pikave hyrëse turistike

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Buxheti i vitit 2022 mbështet zgjerimin e investimeve në diversifikimin e ofertës turistike dhe shtrirja e sezonit turistik gjithëvjetor me impakt në rritjen e numrit të turistëve të huaj në vendin tonë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë diskutimit në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, të projektbuxhetit për vitin 2022, vlerësoi turizmin si një nga sektorët e rëndësishëm në ekonominë e vendit, që gjeneron të ardhura në rritje të qëndrueshme, falë investimeve strategjike që ka zbatuar qeveria në infrastrukturën e vendit.

“Numri i vizitorëve deri në tetor të këtij viti është rritur në 5.1 milionë turistë. Sot kemi rritje të cilësisë nga shërbimet hoteliere që nga Thethi e deri në Konispol, ndërsa kemi një shtrirje të hartës turistike nga Velipoja në Ksamil, por edhe shtrirje në thellësi të vendit, me frekuentimin e poleve agroturistike”, u shpreh Kumbaro.

Ajo i cilësoi investimet në infrastrukturën rrugore si unaza që po lidhin qytetet mes njëra tjetrës dhe rrisin aksesin turistik, duke shkurtuar kohë dhe lëvizje në rrugë me standarde dhe siguri të lartë.

“Rruga e Arbrit është një tjetër treg i ri turistik që po krijohet, ndërsa po zhvillohen polet agroturistike në malësitë e veriut. Programi i Rilindjes Urbane, sot po prodhon turizëm dhe destinacione të reja për turizmin vendas dhe të huaja”, tha Kumbaro.

Ministrja vuri në dukje se ka interes të shtuar për turizmin rural ndaj dhe politikat e qeverisë po realizojnë investime në sistemet e ujit, energjisë dhe po mbështesim me subvencione në krijimin e fermave bio.

“Vetëm në javën e parë të nëntorit në vendin tonë  kanë ardhur 60 mijë turistë të huaj dhe sezoni turistik në këto vitet e fundit po vazhdon të jetë gjithëvjetor falë ofertës së diversifikuar”, u shpreh Kumbaro.

Kumbaro theksoi se “buxheti i vitit 2022 do të mbështesë investimet në rikualifikimin e pikave hyrëse turistike me 24 milionë lekë; ekoturizmin dhe agroturizmin si dy modelet që e bëjnë unikale Shqipërinë turistike; rritjen në 21 % të territorit të Zonave të Mbrojtura nga 18 % që është aktualisht; përfundimin brenda vitit 2022, të investimit në rrugët e aksesit në zonën e mbrojtur të Syrit të Kaltër, në jug të vendit; investimin në ngritjen e një qendre të re multifunksionale në lumin Vjosa, me një fond prej 50 milionë lekë nga hyrja në kufi e lumit Vjosa e deri në grykëderdhje e tij në bregdet, në një gjatësi 200 km; 68.5 milionë lekë në investimin e infrastrukturës turistike në ekoparkun Shkopet-Ulëz me qëllim rritjen e fluksit të vizitorëve me 50 %”.

Gjithashtu ministrja vuri në dukje se prioritet do të marrë programi i menaxhimit të mbetjeve, për të cilin po punohet për krijimin e një programi të detajuar për çdo qark dhe bashki.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.