Vuçiç: Marrëdhëniet me Kosovën i zgjidhim në Bruksel, e mirëpritur në “Ballkanin e hapur”

TIRANË 4 nëntor /ATSH-I.Vata/ Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se ne i kemi hapur dyert Prishtinës, Sarajevës dhe Podgoricës.

Duke folur për Kosovën, Vuçiç tha se “do t’i zgjidhim marrëdhëniet tona me Prishtinën përmes dialogut në Bruksel”.

“Ne do t’i zgjidhnim marrëdhëniet tona me Prishtinën përmes dialogut në Bruksel sepse kemi pikëpamje të ndryshme, por Ballkani i Hapur në rajon u jep liri njerëzve, u jep liri sipërmarrësve, siguron shkëmbim më të mirë të mallrave. Diskutuam digjitalizimin, transformimin e gjithë shoqërive tona, për të punuar për këto çështje. Unë nuk e shoh se pse dikush duhet të jetë kundër kësaj. Kush do të bëhet pjesë është i mirëpritur. Kush nuk do është problemi i tyre, por do ta shihni ndryshimin në normën e rritjes ekonomike midis nesh e të tjerëve por do të kërkojë kohë që të ketë rezultate”, theksoi ai.

“Ne i kemi hapur dyert Prishtinës, Sarajevës dhe Podgoricës, por për aq kohë sa jam Presidenti i Republikës së Serbisë nuk mund t’i përgjigjem të njëjtës pyetje në çdo takim. Jo sepse e kam të vështirë ta bëj këtë apo sepse kam ndonjë problem t’i përgjigjem pyetjes përkatëse, por më duket se të tre ne, së bashku me delegacionet tona, kemi hyrë në thelbin e problemeve. Ne kuptuam thelbin e problemeve dhe shqetësimeve me të cilat po përballen njerëzit tanë e po përpiqemi t’i zgjidhim këto probleme”, tha ai.

Po ashtu, presidenti Vuçiç tha se  “kemi shumë punë, kemi mjaft shqetësime të tjera që të merremi, të justifikojmë për diçka. Nëse duhet ta bëjmë këtë, nuk më shkon në mendje të justifikohem askujt, as BE, askujt në rajon. Të gjithë kanë një nismë kaq të pastër, kaq të mirë”.

“Ne po e bëjmë këtë për hir të qytetarëve tanë, për të mirën e tyre. Pse duhet të japim shpjegime dhe të justifikojmë diçka të mirë që po bëjmë? Gjërat e mira do të ndihmojmë njëri-tjetrin, gjatë tërmeteve, gjatë përmbytjeve. Pse duhet të justifikohemi se njerëzit tanë do të kalojnë kufijtë më shpejt se sa bëjnë tani, që kamionët tanë nuk do të presin 24 apo 48 orë. Pse duhet t’ua shpjegojmë gjithçka gjithkujt. E natyrisht, kur e bëjmë këtë pastaj, shkohet tek gjëja tjetër, që na thuhet ja po presin ata. Pastaj thonë që ne nuk duam të bëhemi pjesë për shkak të Vuçiçit, për shkak të Ramës. Është ok. Nuk e keni për detyrë, askush nuk po ju detyron”, tha ai, i pyetur pë qëndrimin e vendeve që nuk janë pjesë e nismës.

Gjithashtu, presidenti Vuçiç  shtoi se “ne diskutuam mbrëmë me kryeministrin e Malit të Zi”.

“Përmendëm se cilat ishin përfitimet e ai tha që është e rëndësishme për të që të jetë pjesë e përbashkët e luftës kundër katastrofave natyrore e do të shihte se çfarë marrëveshjeje mund të bëhej, por nuk e nxitëm, nuk i krijuam detyrim. Thjesht i shpjeguam, a mendon se sa shumë punë mund të bëjmë të gjitha vendet, cilat janë avantazhet?”, u shpreh Vuçiç.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.