Formimi profesional drejt përafrimit me kuadrin evropian

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Shqipëria bën një hap tjetër të rëndësishëm drejt arritjes së standardeve dhe objektivave në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe detyrimeve për përafrimin e sistemit shqiptar të kualifikimeve me sistemin evropian të kualifikimeve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur sot se Bordi Këshillimor i Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, ku marrin pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE dhe Ballkanit Perëndimor, vlerësoi dhe aprovoi raportin e referencimit të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK) me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (KEK) dhe vetëcertifikimin me Kornizën e Kualifikimeve të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.

“Ky vlerësim dhe aprovim përmbyll kështu pozitivisht një proces mjaft të rëndësishëm për vendin tonë dhe të gjithë mbajtësit e kualifikimeve shqiptare”, deklaroi Ministria.

Kjo do të thotë se diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet arsimore në Shqipëri, që ofrojnë kualifikime në linjë me Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (të arsimit dhe formimit profesional, të arsimit të përgjithshëm dhe të orientuar, si dhe të arsimit të lartë) do të mund të mbajnë si referencë edhe nivelin e Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, duke lehtësuar kështu njohjen e tyre në vendet e BE dhe hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe lëvizshmërinë e profesionistëve.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.