ANALIZË – Pak gjasa që COP26 të sigurojë vrullin për frenimin e ndryshimeve klimatike

GLASGOU, 3 nëntor /ATSH-DPA/ – Pa arritur një konsensus global se si të frenohen me shpejtësi temperaturat në rritje, presidenti amerikan Joe Biden kërkoi rrugë të tjera gjatë ditës së tij të fundit në samitin e OKB për klimën, që kishin të bënin me nënshkrimin e  marrëveshjeve për të ulur emetimet e metanit dhe për të shpëtuar pyjet e botës.

Një mori titujsh pozitivë u gjeneruan që nga dita e parë e samitit, pavarësisht dyshimeve të avokatëve të mjedisit, sipas të cilëve nuk ka shumë gjasa që samiti të sigurojë vrullin e nevojshëm për të frenuar ndryshimet klimatike.

Ky samit do të vazhdojë edhe për 10 ditë të tjera, por pa përfaqësuesit kryesorë të shumicës së vendeve.

Udhëheqësit botërorë njoftuan dje se gati 100 vende i janë bashkuar një zotimi global për të kufizuar emetimet e metanit, një gaz që ngroh planetin, më i fuqishëm si ndotës sesa dyoksidi i karbonit.

Ata nënshkruan një pakt për të parandaluar shpyllëzimin e mëtejshëm deri në vitin 2030 – një premtim që Britania e Madhe e përshëndeti si arritjen e parë të madhe të samitit, por që ekspertët thanë se do të ishte e vështirë për t’u realizuar.

Dhe udhëheqësit lanë të kuptohet se vendet e pasura mund të jenë më afër përmbushjes së premtimit të tyre për të ofruar 100 miliardë dollarë në vit ndihmë për të ndihmuar vendet e varfra të përshtaten me ndryshimet klimatike dhe kalimin në burime më të pastra të energjisë.

Para fillimit të samitit, kryeministri britanik, Boris Johnson e përshkroi luftën kundër ndryshimeve klimatike si një lojë futbolli në të cilën njerëzimi po humbiste 5-1.

Dje, ai tha se njerëzimi ka shënuar një ose dy gola që atëherë dhe “mendoj se ne do të jemi në gjendje ta çojmë këtë gjë në kohën shtesë”.

“Nuk ka dyshim se është bërë njëfarë progresi”, tha ai gjatë një konference për shtyp.

Por, me liderët e Kinës dhe Rusisë, dy nga vendet më ndotëse, që mungojnë në konferencë dhe refuzojnë të përshpejtojnë planet e tyre për të reduktuar emetimet e gazrave serrë, qëllimi i deklaruar për të parandaluar rritjen e temperaturave mesatare mbi 1,5 gradë Celsius mbeti vetëm një simbolikë, një gjest.

Përtej këtij pragu, shkencëtarët thonë se valët e të nxehtit do të bëhen më vdekjeprurëse, zjarret më të shpeshta dhe përmbytjet më të dëmshme.

Disa pjesë të botës, duke përfshirë pjesën më të madhe të Arktikut, tashmë janë ngrohur me 2,0 gradë Celsius nga nivelet paraindustriale me pasoja katastrofike.

Vende të tjera që SHBA-të kishin shpresuar të bënin presion për të përshpejtuar tranzicionin e tyre larg karburanteve fosile, ofruan vetëm premtime të largëta.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi njoftoi se vendi i tij do të bëhet neutral ndaj karbonit deri në vitin 2070 duke humbur për rreth 20 vjet qëllimin e samitit për të zeruar emetimet e karbonit deri në mesin e shekullit.

Vendi i Modit është emetuesi i tretë më i madh i gazrave serrë në botë.

Pak para konferencës, princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman caktoi një datë të re të neutralitetit të karbonit të vitit 2060 – gjithashtu shumë larg objektivit të samitit.

Edhe kryeministri i Australisë, Scott Morrison, njoftoi se vendi i tij do të arrinte emetimet neto zero deri në vitin 2050, por nuk vendosi synime më ambicioze për vitin 2030.

Kjo shkaktoi zemërimin e këshilltarit britanik për ndryshimet klimatike, i cili i tha një paneli të BBC se ky angazhim ishte i paqartë.

I dërguari i SHBA për klimën, John F Kerry, ka theksuar vazhdimisht gjatë dy ditëve të fundit se bisedimet në Glasgou nuk janë përfundimtare dhe se mundësitë mbeten për të korrigjuar kursin.

”Negociatat me ndotësit më të mëdhenj rreth përshpejtimit të tranzicionit nga karburantet fosile do të vazhdojnë”, tha ai.

David Victor, një profesor i inovacionit dhe politikave publike në Shkollën e Politikave dhe Strategjisë Globale në Universitetin e Kalifornisë ”San Diego”, tha se shkëputja e Kinës nga samiti nuk premton për mirë për këto apo bisedimet e ardhshme.

Ai tha se është “shumë e vështirë të bësh përparim në veprimin kolektiv, kur dy ekonomitë më të mëdha në botë nuk shkojnë mirë me njëra-tjetrën”.

Duke pasur parasysh ndarjet gjeopolitike, Victor tha se ”nismat si premtimi i metanit mund të bëhen rrugë më të zakonshme dhe produktive për reduktimin e emetimeve”.

“Ka të bëjë me punën sektor pas sektori në grupe të vogla për të demonstruar progres përmes ndryshimit të fakteve në terren dhe më pas duke e bërë më të lehtë për pjesën tjetër të botës që ta ndjekë,” tha ai.

Mbrojtësit e mjedisit vlerësuan marrëveshjen ndërkombëtare të metanit të martën si një nga mënyrat më të shpejta për të ulur temperaturat mesatare relativisht shpejt.

Shkencëtarët kanë vlerësuar se metani është përgjegjës për rreth një të tretën e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu, ose 0,5 gradë nga gati 1,1 gradë Celsius e ngrohjes që ka ndodhur që nga fundi i shekullit XIX. Premtimi, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, i angazhon vendet që të ulin emetimet nga metani me të paktën një të tretën deri në vitin 2030.

Si pjesë e këtij angazhimi, Biden dhe Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, njoftuan planet për të kufizuar rreptësisht emetimet nga industria e naftës dhe gazit – burimi kryesor i emetimeve industriale të metanit.

Biden u takua me Johnson dhe Von der Leyen për të promovuar një përpjekje ndërkombëtare për të financuar investimet në infrastrukturë në vendet më të varfra.

E quajtur ”Build Back Better World”, ose B3W, nisma synon të jetë një alternativë ndaj Iniciativës së Brezit dhe Rrugës së Kinës, e cila ka financuar ndërtimin e termocentraleve me qymyr, autostradave dhe linjave hekurudhore në vendet në zhvillim dhe ka rritur ndikimin e vendit.

Takimi shërbeu si një kujtesë se si Biden është përpjekur të rrisë presionin ndaj Kinës gjatë kësaj konference dhe gjatë presidencës së tij.

Ai premtoi të punojë ngushtë me vendet e tjera – një referencë e nënkuptuar se si Kina është parë si një huadhënës grabitqar në vendet në zhvillim – dhe tha se “demokracia është ende mënyra më e mirë për të dhënë rezultate”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.