Mbyllje ose rehabilitim venddepozitimeve të jashtëligjshme të mbetjeve

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Shumë venddepozitime të jashtëligjshme mbetjesh që janë trashëguar ndër vite do të mbyllen ose do të rehabilitohen, diçka që parashikohet edhe nga buxheti i vitit 2022.

Kështu deklaroi sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila inspektoi nga afër situatën e mbetjeve në Peqin.

“E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Peqin, ndërsa të gjitha bashkitë duhet t’i dërgojnë mbetjet në pikat fundore të përcaktuara. Me metodologjinë e miratuar në mbledhjen e parë të këtij mandati, standardizojmë përllogaritjen e kostove për pastrimin dhe trajtimin e mbetjeve, si edhe mënyrën e menaxhimit të tyre”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro shprehet se “e duam Shqipërinë e pastër në çdo pëllëmbë të saj, çdokush duhet të bëjë detyrën patriotike që kjo të ndodhë”.

Rreth një muaj më parë Këshilli i Ministrave miratoi vendimin, që saktëson metodologjinë me të cilën njësitë e qeverisjes vendore duhet të përllogarisin sasinë e mbetjeve në territorin e tyre, mënyrën sesi ato publikohen dhe standardizohen.

Ky vendim do të shoqërohet me një paketë trajnimesh të të gjithë njësive vendore për ta ndjekur, jo çdo muaj, por çdo javë dhe çdo ditë nga Ministria e Mjedisit situatën në terren.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.