“Lungomare 3”, fillimvitin e ardhshëm ngrihet kantieri i një tjetër transformimi


TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Fillimvitin e ardhshëm ngrihet kantieri i Lungomare 3.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar pamje nga projekti i kësaj lungomareje.

“Mirëmëngjes dhe me projektin e “Lungomare 3″, përgjatë vijës bregdetare Vlorë – Radhimë – Orikum, ku fillimvitin e ardhshëm ngrihet kantieri i një tjetër transformimi rrënjësor urban, ekonomik e social, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Ky projekt është cilësuar si më i rëndësishmi në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës dhe ndër më tërheqësit për turistët vendas e të huaj.

Projekti investues nis nga dalja e Tunelit në Ujin e Ftohtë e deri në Marinën e Orikumit. Ndër të tjera projekti parashikon që të ndërhyhet në disa aspekte, duke përfshirë edhe një korsi biçikletash me gjatësi 5.3 kilometra.

Në kuadër të këtij investimi do të kryhet rimodelimi i bregdetit të Rivierës së Vlorës përmes krijimit të një korsie të vazhdueshme biçikletash dhe ndërhyrjeve përgjatë rrugës ekzistuese për rritjen e aksesit dhe parkimi, rikualifikimi i plazheve përmes peizazhit, punime të vogla marine dhe shërbime publike si dhe rehabilitimi dhe valorizimi i zonave të gjelbra përmes përmirësimit të peizazhit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.