FOTO-Shtohet gjelbërimi përgjatë shëtitores së re në Fier

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Rehabilitimi i segmentit të dytë të lumit Gjanica do të plotësojë më tej mozaikun e transformimit urbanistik që po ndodh në qytetin e Fierit.

Ndërkohë që punimet avancojnë dita-ditës në çdo segment, paralelisht vijon puna intensivisht në të gjithë shëtitoren duke shtuar gjelbërimin.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi ndau foto nga puna që po kryhet në qendër të Fierit.

“Qendra e qytetit të Fierit ka gjithmonë vëmendjen tonë maksimale. Këto ditë jemi duke punuar intensivisht në të gjithë shëtitoren përgjatë Gjanicës duke shtuar gjelbërimin, lulet dhe ripunuar gjithë lulishtet”, tha Subashi.

Në Fier, vijon puna në fazën e dytë të projektit përgjatë lumit Gjanica, dikur i bllokuar nga pisllëku i mbledhur në vite mes dy varganëve të ndërtimeve pa leje, shkak përmbytjesh të vazhdueshme në qytet, ndërsa sot një vlerë që i shtohet qytetit.

Projekti është në vijimësi të projektit për rikonceptimin e qendrës së qytetit dhe të ndërtimit të Pallatit të Sportit të lojërave me dorë.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.