COVID-19 – Suedia zgjeron grupmoshën për dozën përforcuese

KOPENHAGË, 28 tetor /ATSH-DPA/ – Suedia pritet ta ofrojë dozën përforcuese të vaksinës antiCOVID-19 edhe për grupe të tjera të popullsisë.

“Të gjithë suedezëve të vaksinuar plotësisht, mbi moshën 65 vjeç dhe, gjithashtu, kujdestarëve, gjithsej rreth 1,5 milionë njerëz, do t’u rekomandohet një vaksinë e tretë”, tha ministrja e Shëndetësisë, Lena Hallengren, në një konferencë shtypi.

Deri më tani, doza përforcuese u ofrohej vetëm disa grupeve të rrezikut, siç janë personat mbi 80 vjeç dhe ata që kanë nevojë për kujdes.

Kjo dozë e tretë e vaksinimit mund të merret gjashtë muaj pas dozës së dytë.

“Përqindjet e larta të vaksinimit janë arsyeja pse njerëzit mund të jetojnë një jetë sa më normale, për momentin, megjithatë, pandemia ende nuk ka përfunduar”, theksoi Hallengren.

Kreu i autoritetit shëndetësor, Johan Carlson, shtoi se radhën, në të ardhmen, do ta kenë edhe grupet e tjera.

Fillimisht të moshuarit, pastaj gradualisht grupmoshat më të reja.

Suedia hoqi shumicën dërrmuese të kufizimeve kundër COVID-19 në vend më pak se një muaj më parë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.