“Martir i Demokracisë” për Isahak Toros Shahnaian (pas vdekjes)

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Martir i Demokracisë” të dënuarin politik dhe veprimtarin e spikatur për demokraci dhe të drejtat e njeriut, Isahak Toros Shahnaian (pas vdekjes).

Kreu i Shtetit i akordoi këtë titull me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për shpirtin e pamposhtur dhe sakrificën në mbrojtje të idealeve për liri, demokraci, shtet të së drejtës dhe dinjitet njerëzor, si dhe kontributin e vyer si veprimtar në ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e kauzës të ish-të dënuarve politikë në Shqipëri”.

Në fjalën përshëndetëse, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku merrnin pjesë përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë, historianë dhe intelektualë, Presidenti Meta e konsideroi privilegj nderimin e Isahak Toros Shahnaianin, qytetarin e shquar të Durrësit, i cili përfaqëson një prej shembujve më të spikatur të përndjekjes politike, por dhe të qëndresës së admirueshme ndaj diktaturës komuniste.

“Isahaku është bir i denjë popullit armen të cilin dallgët e jetës ndër vite e kishin sjellë familjarisht në trojet tona. Si shtetas i Shqipërisë, ai gëzonte respektin dhe vlerësimet e të gjithë shoqërisë durrsake ku jetonte me dinjitet. Ai është ndoshta i vetmi pjesëtar i bashkësisë armene në vendin tonë, i dënuar në këto përmasa nga diktatura komuniste. Tashmë ai, nuk është mes nesh dhe shpirti tij fisnik prehet në paqen e përjetshme, por ne ndihemi të detyruar ndaj kujtimit, vuajtjeve, idealeve dhe aktit të tij të lartë të rezistencës antikomuniste”, tha Meta.

Presidenti tha se “martirizimi i një kombi fillon atëherë, kur ai humbet kujtesën historike për shkaktarët e dhunës dhe shtypjes së lirive dhe të drejtave të tij”.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.