G20 – Roma në siguri maksimale në prag të samitit

ROMË, 27 tetor /ATSH-DPA/ – Është forcuar siguria në Romë përpara samitit dyditor të liderëve të G20-s gjatë fundjavës.

“Ky është një moment tensioni i madh”, theksoi ministrja e Brendshme italiane, Luciana Lamorgese.

Njëzet vjet pasi dhuna shkatërroi një samit të G8-s në qytetin verior të Gjenovës dhe tri javë pasi protestat e koronavirusit dolën jashtë kontrollit në kryeqytetin italian, mikpritësit e G20-s kanë zgjedhur një qasje rigoroze të sigurisë.

Marrëveshjet përfshijnë një prani të madhe policore me përforcime shtesë nga ushtria dhe kontrolle më të imëta në zonat përreth eventit.

Pjesa më e madhe e lagjes që rrethon qendrën e kongresit që do të presë samitin do të rrethohet nga e premtja dhe askush nuk do të mund të hyjë pa leje të posaçme.

Numri i saktë i policëve të vendosur ende nuk është bërë i ditur.

Sipas raportimeve, disa mijëra agjentë do të jenë në rrugë.

Rreth 500 ushtarë nga operacioni ”Strade Sicure” (”Rrugë të Sigurta”) po ruajnë pika të rëndësishme në qytet si monumentet, ndërtesat qeveritare, ambasadat dhe hotelet ku do të qëndrojnë mbi 20 delegacione ndërkombëtare./   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.