Eurobondi me vlerë 700 milionë euro, në nëntor del në treg


TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se “sot në mbledhjen e qeverisë u miratuan dy projektvendime të rëndësishme për MEF që kanë të bëjnë me Eurobondin e vlerën e tij dhe me nxitjen e punësimit, arsimin profesional dhe zhvillimin ekonomik të bizneseve të vogla”.

Në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj theksoi se “Eurobondi pritet të dalë në treg në fillim të muajit nëntor dhe do të ketë një vlerë prej 700 milionë euro”.

Sipas saj, procesi po ndiqet nga MEF si dhe nga këshilltarët, për zbatimin me sukses të këtij procesi.

Ibrahimaj tha se, “dita për daljen në treg nuk është vendosur akoma, pasi do të vendoset në bazë të këshillimit me ekspertët ndërkombëtarë, me qëllim që të dalim në treg në ditët më të përshtatshme për të marrë normën e interesit më të përshtatshme që garanton reduktim të kostove të borxhit publik në përgjithësi”.

Gjithashtu theksoi ministrja, “sot u miratua edhe një projektvendim që ka lidhje me nxitjen e punësimit, arsimin profesional dhe zhvillimin ekonomik të bizneseve të vogla”.

Sipas saj, projektvendim i hap rrugën rritjes së një granti nga qeveria gjermane, prej 1,25 milionë euro që i bashkohet grantit të projektit PROSEED duke e çuar në total në 25.15 milionë euro.

“Nëpërmjet këtij projekti që ka filluar në 2017, janë trajnuar një sërë biznesesh në fushën e IT”, tha ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.