Shkodër dhe Vlorë, në pranga 3 shtetas, sekuestrohen 8 kg lëndë narkotike

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 2 shtetas dhe ka sekuestruar 7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa në kuadër të operacionit policor të koduar “Mnela”.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, “në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme dhe kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për disa shtetas që ushtronin veprimtarinë e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Seksionin e Hetimit të Krimeve kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Mnela”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: G. H., 26 vjeç, banues në Mnelë, Bashkia Vau i Dejes dhe D. Ç., 46 vjeçe, banuese në Mamurras”.

“Këta shtetas u kapën në flagrancë, në  territorin e fshatit Mnelë, në një kasolle të përshtatur për tharje dhe përpunim të bimëve narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 kilogramë lëndë bimore cannabis sativa”, informon Policia.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Vlorë, sekuestrohet 1 kilogram lëndë narkotike, arrestohet poseduesi

Policia e Vlorës ka sekuestruar 1 kilogram lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe ka vënë në pranga poseduesin.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, “specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra për një shtetas që posedonte lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit L. L., në fshatin Mazhar, Vlorë”.

Policia informon se, “gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. Ll., 58 vjeç, banues në fshatin Mazhar”.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë shpallën në kërkim shtetasin K. Q., 21 vjeç, banues në Delvinë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 2, Sarandë, ka vjedhur me dhunë dhe nën kërcënimin e armës së ftohtë (thikë), një aparat celular, në dyqanin e shtetasit F. D. Punohet për kapjen e tij.

Gjithashtu specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin E. G., 53 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.