Kim dhe Soreca takim me Celibashin: Vlerësim për administrimin e zgjedhjeve të 25 prillit

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, u takuan sot me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për të diskutuar mënyrat për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri.

Duke cituar raportin e fundit të ODIHR, ambasadorët Kim dhe Soreca shprehën vlerësimin për administrimin kompetent të zgjedhjeve të 25 prillit nga KQZ, njoftoi Ambasada e SHBA.

Ambasadorët nënvizuan se tani është përgjegjësi e të gjitha institucioneve, autoriteteve dhe partive për të punuar me KQZ-në për të trajtuar rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it.

Po ashtu, është thelbësore që autoritetet të hetojnë parregullsitë dhe të ndjekin penalisht krimet zgjedhore, përfshi blerjen e votave, kërcënimin e votuesve dhe përpjekjet e tjera për t’u mohuar votuesve të drejtën për të votuar të lirë, pa frikë, trysni apo joshje të paligjshme.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin me forcë të gjitha përpjekjet për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të përmbushin standardet më të larta, në mënyrë që vullneti i zgjedhësve të respektohet plotësisht.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.