FOTO – Ekspozita “Ditët e Mios” bën bashkë 15 artistë nga bota

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Kolonia Ndërkombëtare e Arteve Figurative “Ditët e Mios” është kryer në një traditë tashmë për qytetin e Korçës.

Ekspozita e veçantë që u çel në ambientet e teatrit “A. Z. Çajupi” solli në vëmendjen e publikut korçar peizazhe të mrekullueshme nga Korça dhe rrethinat.

15 artistë nga vende të ndryshme të botës, i dhanë jetë natyrës përmes kësaj ekspozite, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datë 28 tetor.

Pjesa më e madhe e punimeve janë në gjininë e peizazhit dhe kompozimit, ku kanë mbizotëruar prirja e artistëve drejt kolorizmit, por edhe individualizmit të fortë artistik, ku harmonizohet stili klasik me atë modern.

Vjeshta me ngjyra mbresëlënëse e Dardhës, Vithkuqit, apo Voskopojës si dhe ashpërsia dhe madhështia e relievit malor të zonave përreth Korçës, të cilat frymëzuan Mion dhjetëra vite më parë, nuk mund të linin indiferentë artistët e tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, apo të huajt, të cilët vinin për herë të parë këtu.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.