Tre programe bashkëpunimi me OKB-në


TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj tha sot se “qeveria shqiptare ka zbatuar tre programe bashkëpunimi me OKB-në në Shqipëri, me qëllim të rritjes së impaktit dhe rezultateve të zhvillimit duke sjellë përparësi të dukshme, të prekshme, të sistemit të OKB-së brenda një programi të vetëm strategjik”.

Në fjalën e tij gjatë aktivitetit të organizuar nga Këshilli i Ministrave dhe Përfaqësia e OKB-së në Shqipëri me rastin e firmosjes së programit të përbashkët të Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm, Shqipëri-OKB 2022-2026, Ahmetaj tha se “programi Delivering as One” në Shqipëri duke filluar që nga 2007 ku Shqipëria u përzgjodh si një nga 10 vendet ku do të kishte një qasje të re në në këndvështrimin tonë ka qenë një sukses”.

Zv/kryeministri Ahmetaj u shpreh se “miratimi i axhendës ’20-’30 është bërë në një moment historik për zhvillimin e qëndrueshëm global, por sigurisht edhe për Shqipërinë”.

Sipas tij, Shqipëria ka lëvizur shpejt për të përshpejtuar zbatimin me rigorozitet të saj në çdo qelizë me moton “Të mos lëmë askënd pas”.

Ahmetaj bëri të ditur se “kjo temë sot është bërë gjithëpërfshirëse për të gjitha përpjekjet tona dhe në reflektim të projektbuxhetit ’20-’22 që ne si qeveri e kaluam javën e kaluar në Këshillin e Ministrave”.

Rruga jonë drejt zhvillimit të shpejtë, vijoi Ahmetaj, nxitet nga angazhimi ynë për të përmbushur standardet evropiane dhe për të arritur një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

“OKB ka ndihmuar në adresimin e disa prej ambicieve kryesore të reformave në Shqipëri siç janë politika e nxitjes sociale, mbrojtja e fëmijëve, reforma historike e administrimit të territorit, punësimi, trajnimi profesional, sipërmarrja, migrimi, barazia gjinore”, nënvizoi Ahmetaj.

Më tej Ahmetaj u shpreh se “kjo ditë duhet përdorur dhe si një ditë reflektimi në atë moto që përmenda më parë dhe jo pa qëllim e përmenda projekt-buxhetin e vitit 2021-2022.Shqipëria si rrallë ndonjë vend tjetër po kalon përmes dy goditjeve të mëdha dhe të tretës, që nuk po e quaj atë të krizës së energjisë, por tërmetin e pandeminë. Ne nuk jemi vend i pasur, ne jemi vend në zhvillim , por mënyra si ne reflektuam dhe iu qasëm të dyja goditjeve tregon një maturi të shoqërisë shqiptare. Ne nuk lamë askënd mbrapa pas ditës së vështirë të 26 nëntorit 2019”.

Ahmetaj u shpreh se “po i afrojmë të gjitha familjeve që nga grantet për të rikonstruktuar, për të ndërtuar dhe deri tek shtëpitë falas”.

“Kur iu referova buxhetit të vitit 2022, me shumë modesti por jo pak krenari, ne kemi iniciuar paketa me rëndësi për ata më në nevojë. Janë 15 mijë familje me tre fëmijë nën moshën 18 vjeç, që marrin ndihmë ekonomike. Do ua dyfishojmë ndihmën ekonomike. Ngritja jonë ekonomike është e shpejtë është gati 18%, por është e pamjaftueshme. Nuk duhet të harrojmë që ky vend ka nevojë që të ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë në mënyrë që pas 10 viteve në axhendën tonë të përbashkët ’20-’30 të themi Po ne e frenuam uljen e popullsisë, e rritëm arsimimin, e kthyem Shqipërinë në një Shqipëri digjitale, fëmijët tanë janë në gjendje të konkurrojnë në BE dhe patjetër globalisht”, tha Ahmetaj.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.