Rimbursim i TVSH dhe akcizës së karburantit për operatorët e transportit urban


TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj takoi sot përfaqësuesit e operatorëve të transportit urban, me të cilët u ra dakord për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, si dhe pranimin e një pakete të propozuar nga bashkia e Tiranës për kalimin e situatës së vështirë.

Operatorët pranuan kërkesat e bashkisë për rritjen e standardit të shërbimit, vendosjen e GPS dhe formalizimin e shitjes së aboneve, ndërkaq për herë të parë, bashkia e Tiranës do të ofrojë 1 milion euro subvencion.

“Bashkia e Tiranës do të ofrojë për herë të parë një subvencion prej 1 milion eurosh. Cilësinë e rrit vetëm transparenca, përdorimi i GPS, aboneja e formalizuar, dhe jo subvencioni. Por, duke qenë se jemi në kushte të jashtëzakonshme kam marrë një vendim të jashtëzakonshëm. Si fillim, angazhohemi edhe për subvencionin e TVSH-së dhe akcizës, që do e japë bashkia e Tiranës cash për operatorët, por sigurisht që do monitorohet me transparencë, me GPS dhe me mënyrën e formalizimit të shitjes së aboneve, në të kundërt ne nuk kemi bërë asgjë”, tha Veliaj.

Për herë të parë do të ketë formatizim dhe formalizim unik të shitjes së aboneve, me qëllim eliminimin e shitjes së tyre në tregun e zi.

“S’mund të kemi skena si ato që ndodhën vjet, ku arrestohen operatorët me abone e bileta false. Kjo është marrëdhënie besimi, duhet fillimisht të keni besim te njëri-tjetri. Në momentin që ne vazhdojmë shesim nën dorë, është për turp. Me vendosjen e GPS nëpër autobusë duhet të përcaktojmë edhe vendin se ku do shiten abonetë, në mënyrën e duhur e jo në rrugë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se do të vijojë mbështetja për kategorinë e studentëve dhe të kategorive të tjera sociale.

“Kur shoh skena që përzihet nga autobusi një veteran lufte, ose një i ri me aftësi të kufizuar, se me demek ne s’paskemi kartelën e duhur apo rimbursimin e duhur, kjo është mungesë njerzillëku, është fyese. Unë jam gati ta adresoj dhe do ta zgjidh këtë. Por teksa e zgjidhim, nuk justifikohet nxjerrja e një veterani lufte nga autobusi e as nuk justifikohet nxjerrja e një njeriu me paterica. Jemi shqiptarë, qytetarë, e pastaj jemi kryetarë bashkie e pronarë autobusësh”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i bashkisë paralajmëroi operatorët se nëse nuk do të rrisin cilësinë e transportit, do t’iu hiqet licenca.

Operatorët pranuan paketën e ofruar nga bashkia e Tiranës që synon të ofrojë një shërbim më të mirë të transportit publik urban në kryeqytet.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.