Mbahet edicioni i 43-të i Asamblesë Globale të Privatësisë

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në punimet e edicionit të 43-të të Asamblesë Globale të Privatësisë (Global Privacy Assembly-GPA), që zhvilluan në datat 18-21 tetor dhe të organizuar nga Instituti Kombëtar për Transparencën, Informacionin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Meksikës (National Institute for Transparency, Access to Information and Personal Data Protection–INAI).

Aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i fushës i mbajti punimet në një format hibrid – online dhe fizikisht, kushtëzuar nga situata me pandeminë COVID-19 dhe u organizua nga Instituti Kombëtar për Transparencën, Informacionin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Meksikës (National Institute for Transparency, Access to Information and Personal Data Protection–INAI).

Në sesionin e mbyllur të GPA, i mbajtur në datat 20-21 tetor, morën pjesë përfaqësues nga 153 autoritete anëtare dhe vëzhguese të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë nga mbarë bota.

Në të u miratuan 5 dokumente, ku Zyra e Komisionerit ka dhënë kontributin e saj në cilësinë e anëtares së Komitetit Ekzekutiv dhe në 3 nënkomitete të kësaj organizate: Rezoluta për të ardhmen e Asamblesë Globale të Privatësisë (Zyra e Komisionerit është bashkëpropozuese); Rezoluta për planin strategjik 2-vjeçar (Zyra e Komisionerit është bashkëpropozuese); Rezoluta për shkëmbimin e të dhënave për të mirën publike; Rezoluta për aksesin e qeverisë në të dhëna; Rezoluta për të drejtat digjitale të fëmijëve.

Në punimet e Sesionit të mbyllur pjesëmarrësit diskutuan edhe për tematika e çështje që kanë të bëjnë me “qarkullimin e të dhënave dhe inovacionin”, “mësimet e nxjerra nga pandemia Covid-19”, “bashkëpunimin ndërkombëtar për zbatimin e ligjit dhe shkëmbimin e eksperiencës” dhe “nxitjen e inovacionit përmes angazhimit”. Po ashtu, u paraqitën dhe miratuan raportet vjetore të Grupeve të Punës së GPA, si dhe u prezantua veprimtaria e disa organizma partnere.

Blanca Lilia Ibarra Cadena, presidente e Autoritetit të Meksikës (INAI) u zgjodh në krye të Komitetit Ekzekutiv të GPA me një mandat 2-vjeçar. Ajo zëvendëson në këtë detyrë znj. Elizabeth Denham, Komisioneren e Britanisë së Madhe, pas përfundimit të mandatit dhe drejtimit për 3 vjet të forumit më të lartë drejtues të organizatës.

Asambleja Globale e Privatësisë ka akorduar për herë të parë në këtë edicion Çmimin “Giovanni Buttarelli”, i cili iu dha Shoshana Zuboff, profesore në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Harvardit në SHBA, për kontributin e dhënë në këtë fushë nëpërmjet bashkautorësisë në librin “Në epokën e mbikëqyrjes kapitalite” (In the age of surveillance capitalism). Çmimi është njohje për trashëgiminë e lënë nga Buttarelli në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë.

Në Asamblenë Globale të Privatësisë u anëtarësuan me të drejta të plota Zyra e Komisionerit të Informimit të Kuinslendit në Australi dhe Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave të Fondit të Tregut Botëror të Abu Dabit. Nga ana tjetër, statusin e vëzhguesit në GPA e morën 8 institucione dhe organizata: Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes së të Dhënave të Brazilit; Bordi i Privatësisë e të Drejtave Civile dhe Byroja për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit nga Shtetet e Bashkuara; Autoriteti i të Dhënave dhe Inteligjencës Artificiale të Arabisë Saudite; Ministria e Transportit e Komunikacionit dhe Zyra e Mbrojtjes së të Dhënave të Qendrës Financiare nga Katari; Forumi i Autoriteteve të Privatësisë Azi-Paqësor; si dhe Instituti Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut.

Në Sesionin e Hapur, që i zhvilloi punimet në datat 18-19 tetor, u trajtuan tema me interes për komunitetin e profesionistëve të fushës dhe më gjerë. I ndarë në 5 panele kryesore, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të botës akademike, shoqërisë civile apo biznesit, së bashku me ata nga autoritetet anëtare/vëzhguese të GPA, u diskutua për “mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtat e njeriut, survejimin masiv nëpërmjet njohjes së fytyrës dhe analizën e të dhënave masive” dhe për “promovimin e qasjes etike në funksionimin e organizatave”.

Gjithashtu, u trajtuan nga të pranishmit edhe temat: “e ardhmja e privatësisë dhe teknologjisë, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme”; “sfidat e përputhshmërisë, perspektiva e veprimtarisë së personit të kontaktit për mbrojtjen e të dhënave personale (DPO)”, si dhe në lidhje me “statusin e Konventës 108+ të Këshillit të Evropës dhe mundësinë për hartimin e një Traktati për Inteligjencën Artificiale”.

Në panelin me temë “Bashkëpunimi ndërkombëtar për zbatimin e ligjit dhe shkëmbimi i eksperiencës”, ku referuan përfaqësues të Autoriteteve të Britanisë së Madhe, Australisë, Japonisë, Kolumbisë, Hong-Kongut dhe Ganës, Zyra e Komisionerit u përfaqësua nga Besa Velaj, drejtore e Kabinetit të Komisionerit. Ajo solli përvojën e bashkëpunimit me Autoritetin Italian të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (Garante per la Protezione dei Dati Personali) në zhvillimin e hetimeve të përbashkëta, me fokus zbatimin efektiv të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale. Panelistët vlerësuan eksperiencën e prezantuar nga Zyra e Komisionerit, ndërsa theksuan se bashkëpunimi dy ose shumëpalësh për zbatimin e ligjit është rruga më e mirë për adresimin e problematikave që sjell zhvillimi ekonomik, veçanërisht përparimi teknologjik i viteve të fundit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.