Kombëtarja e femrave U-19, Shqipëria mbyll eliminatoret e Kampionatit Europian 2022

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Shqipëria për femra U-19 ka luajtur ditën e sotme ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Uellsit, ku është mundur me rezultatin 1-4, duke mbyllur kështu rrugëtimin në kualifikueset e Kampionatit Evropian 2022.

Trajneri Krepi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Hyska, Gjergji, Troka, Vuksani, Tanushi, Avullija, Iliadhi, Mema, Kacorri, Hamonikaj, Armoku.

Vajzat kuqezi bënë një paraqitje të mirë, duke e nisur mirë ndeshjen, me kontroll të topit dhe lojës. Në minutën e 14-të, Matilda Gjergji dhuron bukur një top afër zonës kundërshtare për sulmuesen Hamonikaj, e cila godet lehtë, me topin që përfundon në duart e portieres kundërshtare.

Shqipëria e sheh veten në disavantazh në minutën e 26-të, me Uellsin që kalon në epërsi me Taylor. Skuadra jonë përpiqet të reagojë, duke u afruar disa herë pranë zonës kundërshtare, por nuk arrin dot të gjejë golin e barazimit. Pak minuta më vonë, në të 44-ën, rivalet gjejnë edhe golin e dytë me Poole. Pjesa e parë mbyllet me këto shifra, teksa me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, trajneri Krepi bën zëvendësimin e parë, me Cemerin që futet në vend të Kacorrit.

3 minuta pas fillimit të lojës, Uellsi gjen edhe golin e tretë sërish me Poole, pas një aksioni të bukur. Ekipi përpiqet të krijojë balancë në lojë, duke kërkuar të gjejë golin për të ngushtuar rezultatin dhe hapur lojën. Ndeshja do të ndërpritej për rreth 10 minuta, për shkak se një nga lojtaret kundërshtare pëson një dëmtim dhe mori ndihmën mjekësore në fushën e lojës.

Me rifillimin e sfidës, gjyqtarja akordon një penallti në favor të vajzave tona, me Agli Iliadhin që e ekzekuton në mënyrë të saktë dhe duke i ngushtuar shifrat në 1-3.

Krepi bën edhe katër zëvendësime të tjera, duke futur në lojë Qosen, Bilalin, Blinishtën dhe Sulën dhe duke nxjerrë nga loja Armokun, Bilalin, Avullija dhe Cemerin.

Uellsianet shënojnë edhe golin e katërt sërish me Poole-n, duke vulosur kështu rezultatin në 1-4.

Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit e Shqipërisë U-19 për femra në këto eliminatore, teksa në dy ndeshjet e para ka marrë një barazim me Moldavinë dhe një fitore me Andorrën. Përfaqësuesja shqiptare u rendit në vendin e dytë në grupin B3, me katër pikë, ndërsa në vendin e parë renditet Uellsi, që kalon në fazën tjetër. Vendi i tretë në grup i përket Andorrës me një tre, ndërsa Moldavia vendin e katërt me një pikë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.