Eurobondi, mbështetje sektorëve që nxisin ekonominë. Opozita skeptike


TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Në fillim të muajit nëntor Shqipëria pritet të dalë në tregun ndërkombëtar me një Eurobond prej rreth 500-700 milionë euro.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paraqiti në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave pr/ligjin për emetimin e tij në tregjet ndërkombëtare ku bëri të ditur se financimi i siguruar nga Eurobondi do të përdoret në mbështetje të përgjithshme buxhetore në sektorin shëndetësor, bujqësi, arsim, dhe investime publike.

Sipas saj, një pjesë e financimit do të mbetet balancë në thesar për vitin 2022.

“Financimi i siguruar nga Eurobondi do të shërbejë për përdorimin për mbështetje të përgjithshme buxhetore, e cila do të alokohet në shpenzime të përgjithshme publike për të siguruar që sektorët kryesorë, si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura të vijojnë rritjen e qëndrueshme, si dhe do të mbështesë investime publike, duke qëndruar në rreth 5 % të PBB-së. Një pjesë e Eurobondit do të mbetet balancë në TSA (llogarinë e unifikuar të buxhetit) për financimin e vitit 2022”, deklaroi ministrja.

Ministrja tha se për emetimin e këtij Eurobondi ishte kërkuar edhe mendimi i Bankës së Shqipërisë.

“Banka e Shqipërisë ka konfirmuar se emetimi i Eurobondit në termat dhe vlerat e shpallura nuk cenon politikën monetare të saj në terma afatshkurtër”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj u shpreh se kjo është hera e pestë që vendi ynë u drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e Eurobondit.

Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010, me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7.5 % dhe është shlyer në vitin 2015.

Eurobondi i emetuar në vitin 2015, me maturim 5-vjeçar, në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 5.75 %, është shlyer në vitin 2020.

Eurobondet e mëpasshme dhe që janë ende aktive të pashlyera janë Eurobondi i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë eurosh, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.50 %, si dhe Eurobondi i emetuar në vitin 2020, në vlerën prej 650 milionë eurosh, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.50 %.

Gjatë emetimeve të njëpasnjëshme, sipas ministres Ibrahimaj, Shqipëria ka shënuar sukses, duke mundësuar emetime me kosto gjithnjë e më të ulëta, kjo deri në Eurobondin e emetuar në vitin 2020 dhe për shkak të kredibilitetit të rritur në sytë e investitorëve, por edhe si pasojë e normave të referencës gjithnjë në rënie gjatë viteve të fundit.

“Emetimi i Eurobondit më të fundit u mundësua me kosto pothuajse të njëjtë me Eurobondin paraardhës pavarësisht situatës me një nivel të lartë paqëndrueshmërie të tregjeve financiare ndërkombëtare gjatë periudhës së përhapjes gjerësisht të pandemisë COVID-19 në gjysmën e parë të vitit 2020”, tha ajo.

Tabaku: Borxhi është barrë për shqiptarët dhe qokë për oligarkët

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku ngriti pikëpyetje në lidhje me borxhin publik të Shqipërisë. Ajo argumentoi se ekonomia shqiptare nuk ka pasur ndonjë përfitim nga rritja e borxhit, përkundrazi sipas saj, borxhi është marrë për të paguar pagat e të punësuarve.

“Qeveria e gjeti borxhin në 2013 në vlerën e 6.3 miliardë euro ndërkohë që në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 borxhi ka kapur vlerën e 10.2 miliardë euro. Nga një rritje e tillë e borxhit çfarë ka përfituar ekonomia shqiptare. Dukshëm asgjë”, u shpreh Tabaku.

Ajo shtoi më tej se situata në tregjet botërore dhe mbi të gjitha situata në ekonominë globale do të ndikojë negativisht në normën e interesit për eurobondin.

Nënkryetarja Tabaku argumentoi se Eurobondi do të ndikohet në normën e interesit dhe në treg edhe nga situata e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve.

“Po merret borxh për paga, pensione dhe koncesione qe nuk ka ndodhur kurrë më parë. Borxhi ka arritur ne 95 % të PBB. Nuk duhet harruar se Shqipëria është një nga vendet e përfshira në listën gri të Moneyval. Kjo do të ndikojë në rezultatin e nxjerrjes së Eurobondit në treg”, deklaroi ajo.

Tabaku nënvizoi se situata e borxhit dhe menaxhimi i borxhit është trajtuar dhe nga FMN e cila ka kritikuar qeverinë për të dy aspektet e menaxhimit dhe gjithashtu përdorimit të tij.
FMN, sipas Tabakut, ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme shpenzimet e qeverisë duke vënë theksin tek mungesa e eficiencës dhe dërgimit të borxhit në shpenzime jo eficiente si ato të PPP-ve. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.